E Diel, 1 Nëntor 2026

Blair: Duhet një KLD e pavarur, nënkryetari duhet të jetë larg ndikimit të qeverisë

Share

Në kulmin e debatit mes qeverisë dhe presidencës për ligjshmërinë e emërimit te një anëtari të KLD, ardhur prej gjyqësorit në postin e zëvendëskryetarit, ndërhyn një zë i njohur i jurisprudencës në Britaninë e Madhe.

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Tony Blair, avokatja Cherie Blair shprehet se numri 2 i KLD duhet të jetë larg ndikimit të ekzekutivit, çka e zhvendos balancën e së drejtës në debat, në krah të presidentit. Administrata gjyqësore nuk duhet përdorur për të ndërhyrë në vendimmarrje të gjyqtareve. Zëvendëskryetari i KLD duhet të jetë i pavarur dhe larg ndikimit të qeverisë. Përzgjedhja e gjyqtarëve nuk duhet të jetë politike, sepse kjo e minon sistemin. Në Shqipëri, pavarësia në emërimet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese nuk është ende e garantuar, ka thëne Blair. Avokatja Blair shtoi se korrupsioni në gjyqësor e rrezikon integrimin e vendit në BE, dhe ajo i referohet sondazhit ku 2/3 e shqiptareve nuk kanë besim të gjykatat. Ndërsa anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, gjatë një diskutimi për reformën në gjyqësor tha se nuk duhen miratuar ligje për hir të kompromisit. Gjyqtari shqiptar në Strasburg, Ledio Bianku, duke u ndalur në debatin publik mbi kontrollin e gjykatave, pohoi përmes një anekdote se në të kundërt sistemi do zhytej në abuzim./vizionplus

Berisha takon Blair: Kemi bërë hapa në forcimin e shtetit ligjor

Kryeministri Berisha priti në një takim, zonjën Cherie Blair, e cila po zhvillon një vizitë në Shqipëri, e ftuar në konferencën me temë Reforma në Gjyqësor si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE.

Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen znj. Blair, u shpreh se ajo mirëpritet me dashuri nga  të gjithë shqiptarët, të cilët kujtojnë gjithashtu me mirënjohje angazhimin e fortë të  bashkëshortit të saj, ish kryeministrit britanik Tony Blair, për çështjen e drejtë të Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e saj të njohur në fushën e drejtësisë, si dhe angazhimet përmes fondacionit të saj, në çështje sociale. Kryeministri Berisha e njohu zonjën Blair me reformat themelore që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në hapat e bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi angazhimin e palëkundur të mazhorancës për heqjen sa më parë të imunitetit për zyrtarët e lartë dhe ata të zgjedhur, si dhe gjyqtarët, si një masë themelore, e cila kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës, thuhet në një njoftim të kryeministrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›