Kush po e blen gjyqësorin në Shqipëri zonja Blair?
Ti po i sjell turp Britanisë. Kështu titullohej një shkrim i të përditshmes së njohur britanike, Daily Mail, më 19 korrik 2010. I referohej Cherie Blair, bashkëshortes së ish- kryeministrit britanik, Tony Blair. Gazeta e akuzonte se kishte marrë 167 mijë sterlina nga Rezart Taçi për të qenë në ceremoninë e inaugurimit të televizionit të tij. Si mund të vlerësojë Cherie Blair njeriun që më goditi mua, pyet gazetari hero, titullohej një tjetër shkrim i Daily Mail, që e pati çështje kryesore disa ditë vizitën e Cherie Blair. I referohet gazetarit Mero Baze, i dhunuar nga Taçi dhe truprojat e tij.
Kësaj here Cherie Blair ka ardhur në Shqipëri sërish, e ftuar nga një universitet privat. Ka folur në një aktivitet dhe është pritur nga drejtuesit e shtetit, përfshi këtu kryeministrin Sali Berisha. Fakti që i shoqi i saj ka një nam të mirë ndër shqiptarë, e ndihmon shumë.
Por kësaj here ka folur për drejtësinë, jo për median. Top Channel thotë: Blair, njohëse e mirë e problematikës së gjyqësorit në vendin tonë. Nuk e dimë vërtet sa e njeh ajo drejtësinë në Shqipëri, por në fjalën e saj, Blair tha se gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar. Sa mirë e di. Ndoshta nuk i kanë treguar se mikpritësi i saj është liruar nga akuzat për rrahjen barbare ndaj gazetarit Mero Baze, duke manipuluar hapur gjyqin dhe duke e kthyer vektorin e drejtësisë në kah të kundërt, duke e bërë të dhunuarin të paditur.
Nuk mund të ketë integrim në BE, pa reformat në gjyqësor. Dy të tretat e shqiptarëve nuk besojnë tek drejtësia, duke e kthyer mbrapsht Shqipërinë në vitin 2009. Nga 2005 deri në 2009, po bëhej progres. Me gjendjen në të cilën ndodheni, nuk mund të integroheni në BE, duhen me shume reforma. Një tjetër sondazh ka dalë në përfundimin se shqiptarët japin ryshfet më shumë se vendet e tjera. Duhet ta dini se kjo është një sfidë për të gjitha shtetet, dhe janë sfida që vijojnë dhe në qeverisjen aktuale. Është shumë e rëndësishme për të theksuar ndarjen e pushteteve, nëse duam sistem gjyqësor të pavarur. Çështja e korrupsion në Shqipëri është më e rëndësishmja që duhet adresuar. Problemi i gjykatave është kudo nëpër botë, por zhdukja e korrupsionit është ëndërr për çdo shtet, por nevojitet një përgjigje e shpejtë ku ka korrupsion, tha Cherie.
Pse nuk e nis ajo e para duke denoncuar mikpritësin e saj, prej të cilit ka marrë një shumë të jashtëzakonshme?
