E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair:Veriu integrohet duke forcuar rendin dhe ligjin

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair ka deklaruar se veriu i Kosovës integrohet duke forcuar rendin dhe ligjin. Gjatë një takimi me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, Blair theksoi se ky është mesazhi më i mirë që mund t`i dërgohet komunitetit që jeton në 3 komunat në veri, por edhe fqinjëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
 

Ish kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair, tha se ndjehet mirë sa herë që vjen në Kosovë dhe i gëzohet sukseseve të saj. Ai tha që përmes Fondacionit të tij ai dëshiron që të jetë prezent në Kosovë dhe ta bëj atë pjesë të një rrjeti global të edukimit.
Nga ana e saj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga theksoi se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar, ku të gjitha komunitetet i gëzojnë të drejtat e tyre dhe është shtet i pavarur, me integritet territorial dhe subjektivitet të garantuar ndërkombëtar. Ajo tha se Kosova është bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovues i fqinjësisë së mirë.
 

Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu me shtetin fqinj Serbinë që kishte për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve ka kuptim vetëm nëse palët respektojnë marrëveshjet e arritura. “Pavarësisht vullnetit të institucioneve të Kosovës për të implementuar këto marrëveshje, ato vazhdojnë që të mos realizohen nga pala serbe duke e vënë në pikëpyetje jo vetëm kredibilitetin e dialogut, por edhe vazhdimin e tij”, tha ajo.
 

Presidentja Jahjaga tha se Kosova po shënon përparim në proceset integruese dhe se me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, Republika e Kosovës dhe BE-ja kanë hapur një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ajo shtoi se Kosova është e përkushtuar të bëj reformat e nevojshme për të arritur standardet evropiane, pasi në këtë mënyrë ne e përmirësojmë vetveten dhe shoqërinë.
 

Presidentja Jahjaga theksoi se zgjidhja më e mirë për përmirësimin e gjendjes në tre komunat në veri të vendit është zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit që do të mundësonte integrimin e plotë të komuniteteve në këto komuna në jetën institucionale të Kosovës. Për realizimin e këtij Plani, Presidentja theksoi që është e nevojshme edhe ndihma e komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht duke e inkurajuar Serbinë që të shpërbëjë dhe të mos financojë strukturat kriminale që veprojnë në këto komuna.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›