E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puçi i heshtur në Egjipt

Egjiptianët zgjodhën presidentin e ri, por pushtetin fillimisht po e marrin përsipër gjeneralët. Me një kushtetutë të përkohshme, gjeneralët kanë siguruar kompetencat kryesore. Një vit pas revolucionit, Egjipti mund të përballet sërish me protesta masive.

Momenti nuk ka mundur të përzgjidhet në mënyrë më të përkryer: përderisa i gjithë Egjipti priste të dielën me interesim të madh se kush do të fitojë zgjedhjet e para të lira presidenciale në vend, Këshilli Ushtarak në pushtet kumtoi se i ka shtuar edhe tetë nene kushtetutës së përkohshme të vendit. Me këto ndryshime, gjeneralët pothuajse siguruan pushtetin e plotë.

Konkretisht kjo nënkupton se Këshilli Ushtarak për muaj të tërë do të marrë përsipër kompetencat e parlamentit, përderisa të mos zgjidhet parlamenti i ri, i cili u shpërbë të shtunën. Njëkohësisht, gjeneralët do të mbikëqyrin edhe buxhetin shtetëror dhe procesin e hartimit të kushtetutës së re. Presidenti i ri nuk do të ketë kurrfarë autoriteti mbi ushtrinë. Qysh të martën e kaluar ushtria miratoi një ligj, i cili ushtrisë i jep të drejtë që para gjykatave ushtarake të vendos çdo banorë të Egjiptit. Legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia në këtë mënyrë-së paku pjesërisht-janë në duar të ushtrisë.

Se çfarë kishte ndodhur, egjiptianët e kuptuan me pak vonesë, në natën mes të dielës dhe të hënës. Të gjithë ishin të interesuar të përcillnin numërimin e votave, proces ky i cili u transmetua drejtpërsëdrejti në televizor. Vonë në mbrëmje, përfaqësuesit e të dy kandidatëve presidencialë shpallën fitoret e dy kandidatëve. Si kandidati i Vëllazërisë Myslimane, Mohammed Mursi, ashtu edhe kryeministri i fundit në epokën e Hosni Mubarakut, Ahmed Shafiq, deklaruan se kanë fituar zgjedhjet me 52 për qind të votave. Rezultati përfundimtar pritet të publikohet të enjten.

Pra grindja e supozuar për rezultatin zgjedhor mes dy kandidatëve, zhvendosi përkohësisht vëmendjen. Por më pas, plasi hidhërimi: komentuesi i njohur, Aiman Sajad, gjatë një interviste dhënë televizionit Al Hajat tërhoqi vërejtjen se presidenti i ardhshëm nuk do të ketë mundësi që të kontrollojë apo të parandalojë vendimet e Këshillit Ushtarak. “Presidenti nuk do të ketë mundësi të shkarkojë as ministrin e Mbrojtjes, e as anëtarët e Këshillit”, theksoi Sajad. Ai shtoi se Këshilli Ushtarak “tani e tutje do të jetë i paprekshëm”.

Hossam Baghat, nga Iniciativa Egjiptiane për të Drejta të Qytetarëve, theksoi se atdheu i tij është shndërruar përfundimisht në diktaturë ushtarake. Ish-drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Mohammed Al Baradei, dokumentin e ushtrisë e cilësoi si një “goditje të rëndë për demokracinë dhe revolucionin”.

“Këshilli Ushtarak ruan kompetencat për të sjell ligje, ja merr presidentit çfarëdo autoriteti mbi ushtrinë dhe po çimenton pushtetin e ushtrisë”, theksoi Al Baradei.

Ndryshimet më të rëndësishme, të ndërmarra nga ushtria në kushtetutën e përkohshme janë: Nuk ka kontroll mbi ushtrinë. Komandanti suprem i forcave të armatosura nuk është më presidenti, por kryesuesi i Këshillit Ushtarak. Këshilli Ushtarak zgjedh vetë kryesuesin dhe presidenti mund të shpallë luftë, vetëm me pëlqimin e Këshillit.

Këshilli Ushtarak gjithashtu i dha vetës të drejtën e vetos gjatë procesit të hartimit të kushtetutës. Komiteti prej 100 anëtarësh, i cili do të hartojë kushtetutën, çdo tekst të hartuar duhet t’ia paraqes fillimisht Këshillit. Nëse Këshilli nuk pajtohet me ndonjë nen, ai do të duhet të përpunohet dhe të ndryshohet.

Vëllazëria Myslimane dhe grupet tjera politike, me të kuptuar lajmin për ndryshimin e kushtetutës së përkohshme, i cilësuan menjëherë të pavlefshme këto ndryshime, të imponuara nga Këshilli Ushtarak.

Por tani gjëja vendimtare do të jetë se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i Egjiptit. Nëse fiton Shafiq, atëherë gjeneralët, përkundër kundërshtimeve të Vëllazërisë, me gjasë do të ja kenë arritur qëllimit të tyre: Shafiq, si gjeneral i forcave ajrore dhe kryeministër i fundit i Mubarakut, mund të bashkëpunojë me ushtrinë. Por, kjo sipas të gjitha gjasave do të nxiste protesta masive: shumë egjiptianë po frikësohen se elita e vjetër tani po e zhbën hap pas hapi revolucionin.

Edhe nëse Mursi zgjidhet president, të gjitha parashenjat janë për një stuhi: ai menjëherë mund të hyjë në një kurs të konfrontimit me ushtrinë. Vëllazëria Myslimane tashmë ka paralajmëruar rezistencë kundër gjeneralëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›