E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blanko: Gjyqtarët një masakër kundër Dinamos

TIRANE-Trajneri i Dinamos Luis Manuel Blanko ka lëshuar akuza tepër të forta në adresë të gjyqtarëve, pas gabimeve trashanike në sfidën e ditës së hënë kundër Shkumbinit. Blutë u mundën 1-0 në këtë takim, ndërkohë që në fushë vendimet e treshes së arbitrave kanë qenë mëse të dyshimta. Pozicione jashtë loje të dyshimta, një penallti e pastër e mosdhënë si edhe disa ndërhyrje të rënda të pandëshkuara, kanë sjellë zemërimin e teknikut të Dinamos. "Gjyqtarët janë duke na masakruar, - deklaroi ai në një konferencë për shtyp të mbajtur dje në ambientet e klubit. - Nuk kam parë kurrë kështu në jetën time. Jam vërtet shumë i shqetësuar, sepse nuk po na lejojnë të luajmë. Të gjithë e pamë se çfarë ndodhi në Peqin, ishte një masakër e vërtetë", shtoi argjentinasi. Në fakt, nuk është hera e parë që trajneri i Dinamos lëshon akuza ndaj gjyqtarëve të ndeshjes, por inati i tij ditën e djeshme dukej akoma më i madh. Blutë për momentin ndodhen jashtë zonës së Kupave të Evropës dhe pavarësisht deklaratave të presidentit Besnik Sulaj, që konfirmon Blankon trajner, një gjë e tillë nuk është edhe aq e sigurt. Gjithsesi, sfida me Vllazninë ditën e enjte do të ketë një vlerë të veçantë në këtë aspekt.
Skandali
Një skandal i vërtetë ka ndodhur pas ndeshjes mes Shkumbinit dhe Dinamos, që u luajt të hënën në Peqin. Arbitri i këtij takimi Tanush Latifi mësohet se ka udhëtuar pas takimit me makinën e deputetit të Peqinit Dashnor Sula, i njohur ndryshe si një nga donatorët e këtij klubi. Një skandal i vërtetë, për të cilin në Federatë thonë se nuk kanë asnjë informacion. Por, në fakt, duke parë atë çfarë ndodhi në fushën e lojës, me shumë gabime të arbitrit, gjithçka mund të jetë lehtësisht e imagjinueshme. Elis Bakaj ishte vetëm me portierin në mesin e pjesës së parë, ndërsa një mbrojtës i Shkumbinit e shtyu me të dyja duart, duke e flakur në tokë. Një moment, që gjyqtari Tanush Latifi e ka vlerësuar si të rregullt, duke mos akorduar asgjë. Ndërkohë, edhe goli i Shkumbinit ka qenë i parregullt, pasi Mujdragiç ishte në pozicion jashtë loje në momentin e shënimit.
Incidentet
Në fushën e Peqinit për hir të së vërtetës nuk ka ndodhur asgjë, por ndërkohë, përpara takimit mes Shkumbinit dhe Dinamos, problemet kanë qenë të shumta. Gjithçka ka lindur në momentin që skuadra kampione në fuqi ka hyrë në qytet, ku autobusi i saj është goditur me gurë nga disa persona që ndodheshin aty. Më tej, deputeti Dashnor Sula ka patur një debat me Elis Bakajn gjatë kohës që ky i fundit po bënte nxemjen. Ata u përplasën edhe në javën e 4-t, në "Qemal Stafa", kur deputeti i hodhi një celular, pas disa sharjeve reciproke mes tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›