Blater-Aglisë: Nuk jemi të korruptuar
FIFA ka nisur kundërsulmin ndaj Anglisë, pasi mediat britanike akuzuan për korrupsion zyrtarët më të lartë të futbollit botëror. Shtypi anglez bëri publik një raport të Lordit Triesman, sipas të cilit disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s ishin korruptuar për t’i dhënë organizimin e Botërorit 2018 Rusisë, duke dëmtuar në të njëjtën kohë kandidaturën angleze. Pas këtij denoncimi raportet e FIFA-s dhe Anglisë, e cila ka një nga federatat më me shumë influencë në Europë, u ftohën së tepërmi dhe pas nisjes së hetimeve ka ardhur dhe kundërsulmi i parë i qeverisë botërore të futbollit. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater është shprehur se anëtarët e institucionit që ai drejton nuk janë të korruptuar dhe se akuzat e anglezëve janë të pavërteta, deri sa ata nuk kanë paraqitur asnjë provë në lidhje me këtë çështje. "Ne i kemi kërkuar Federatës Angleze të Futbollit të na ndihmojë, por për momentin nuk kemi marrë asgjë. Kështu, ka një princip në jetë: je i pafajshëm përderisa nuk je shpallur fajtor. FIFA nuk është e korruptuar. Përfundimisht jo”, ka thënë Blater, i cili rikandidon për mandatin e katërt në krye të FIFA-s. Gjithsesi, 75-vjeçari zviceran do të ketë kundër votën e Anglisë në zgjedhjet që do të mbahen më 1 qershor në Nion.