Fetel nuk di të ndalet më!
Piloti i Red Bull triumfon edhe në Çmimin e Madh të Spanjës, duke e thelluar diferencën me Hamiltonin e vendit të dytë në 41 pikë pas vetëm 5 garash
Kampioni aktual i botës në Formula 1, piloti i Red Bull-it, Sebastian Fetel, arriti fitoren e tij të katërt nga pesë garat e deritashme në këtë sezon, duke triumfuar të dje në garën për Çmimit e Madh të Spanjës. Ljuis Hamilton në McLaren përfundoi i dyti, vetëm 0.6 sekonda prapa, duke e vënë nën presion 23-vjeçarin gjerman në xhirot e fundit në përfundimin e garës, që shumëkush e kishte parashikuar se do të ishte një duel mes dy pilotëve të Red Bullit. Kolegu i Hamiltonit, bashkëkombësi britanik Xhenzon Baton doli i treti, duke mposhtur pilotin tjetër të Red Bull-it, australianin Mark Veber për vendin e fundit në podium, i ndihmuar nga strategjia prej tri ndaljeve në pit-stop, ndryshe nga katër që kryen të gjithë pilotët e tjerë. Pas tyre, heroi vendës Fernando Alonso me Ferrari, përfundoi i pesti para Mikael Shumakerit me Mercedes, por një xhiro prapa Fetelit, i cili e shtoi epërsinë e tij në renditjen e përgjithshme ndaj Hamiltonit në 41 pikë. Britaniku, kampion i botës nga viti 2008, mbetet piloti i vetëm që e ka mposhtur Fetelin gjatë këtij sezoni. “Ishte mjaft vështirë. Në 10 xhirot e fundit gara po më ngjante me atë të Kinës, ku gomat ishin konsumuar”, tha gjermani për garën në të cilën përfundoi i dyti pas Hamiltonit, që përfitoi nga strategjia më e mirë. “McLaren dhe Ljuis na e bënë punën shumë të vështirë”, u shpreh kampioni i botës. Veber kishte marrë pole-position e tij të parë të sezonit të shtunën, duke u nisur në radhën e parë me Fetelin, por e pagoi çmimin për startin e dobët, ndërsa Alonso bëri të festojnë 78 mijë spektatorët në pistën e Katalonisë, duke marrë epërsinë që në fillimin e garës. Por gëzimi nuk zgjati shumë, pasi Alonso kishte një strategji prej katër ndaljeve në pit-stop dhe u desh të përfundojë garën me goma më të ngadalshme. Kolegu i tij Felipe Masa ishte njëri prej tre pilotëve që nuk përfunduan garën.
Çmimi i Madh i Spanjës
Piloti Koha
1) Sebastian Fetel 1:39:03.301
2) Ljuis Hamilton +0.6 sekonda
3) Xhenzon Baton +35.6 sekonda
4) Mark Veber +47.9 sekonda
5) Fernando Alonso +1 xhiro
6) Mikael Shumaker +1 xhiro
7) Niko Rosberg +1 xhiro
8) Nik Haidfild +1 xhiro
Renditja e përgjithshme
Piloti Pikë
1) Sebastian Fetel 118
2) Ljuis Hamilton 77
3) Mark Veber 67
4) Xhenzon Baton 61
5) Fernando Alonso 51
6) Niko Rosberg 26
7) Nik Hadfild 25
8) Felipe Masa 24