E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blatsios: AMC, gjithmonë gati të investojë në risi

Dimitris Blatsios, drejtori ekzekutiv i AMC-së

Flet drejtori i AMC, Dimitris Blatsios: Fokusi ynë, teknologjia më e fundit.

“Të lumtur që festojmë së bashku 100-vjetorin e pavarësisë”

Fokusi gjithmonë tek investimi në risi, e mbështetur kjo nga teknologjia me standardet më të larta. Për AMC-në ky nuk është luks, por synim që duhet përmbushur për t’u ofruar shërbimin më të mirë klientëve.
Kjo kuptohet qartë nga koncepti që drejtori ekzekutiv i “Albanian Mobile Communication”, Dimitris Blatsios, shpreh në një intervistë për gazetën. Pavarësisht vorbullës së krizës ku kompanitë celulare nuk bëjnë përjashtim, Balasisos shprehet se AMC, duke qenë “bijë” e OTE ,nën ombrellën e grupit të fuqishëm “Deutsche Telekom”, ka pasur mundësinë t’i ndjekë ndryshimet teknologjike. Fakt i kësaj është sot ofrimi i shërbimeve më të mira, ku 3G i AMC u vlerësua nga Infocom Shqipëria 2012 me çmimin e “Ekselencës në biznes”.
Ky ka qenë një vit sfidash për industrinë e telefonisë celulare, gjithashtu edhe për të gjithë ekonominë e Shqipërisë dhe vendeve fqinje. Megjithatë, vihen re edhe disa arritje. Mund të ndani me ne mendimin tuaj për këtë temë?
Edhe viti 2012, i cili me shumë mundësi do të pasohet nga të tjerë, ka qenë i vështirë jo vetëm për rajonin tonë, por për mbarë Europën. Gjithsesi, ekonomitë e prekura më shumë janë ato të eurozonës. Situata erdhi si pasojë e qeverisjes së dobët apo problemeve strukturore të eurozonës. Për të sotmen ka pak rëndësi, por për gjetjen e zgjidhjeve të mundshme të së nesërmes ka shumë rëndësi. Është fakt se kriza e eurozonës është kriza më e rëndë financiare e brezit tonë. Efektet tek ekonomitë rajonale janë të pafavorshme. Natyrisht edhe industria e telefonisë së lëvizshme nuk bën përjashtim. Ekzistenca në Shqipëri e katër operatorëve të telefonisë së lëvizshme (po aq sa në Gjermaninë, me popullsi 25 herë më të madhe dhe Prodhim të Brendshëm Bruto (GDP) më të lartë) dhe konkurrenca në treg po bën që çmimet të bien në nivele të paprecedentë. Kjo dukuri nga njëra anë është e mirë për abonentët, por nga ana tjetër ul ritmin e investimeve të kompanive të telekomunikacionit në infrastrukturën e vet, pasi këto të fundit vërejnë uljen e fitimit. AMC ka fatin që, nëpërmjet kompanisë mëmë OTE, t’i përkasë njërit prej grupeve më të rëndësishëm në botë, atij “Deutsche Telekom”. Parë nga ky këndvështrim, ne mund t’ia lejojmë vetes të hedhim sytë nga e ardhmja. Ne nuk përpiqemi të maksimizojmë me çdo kusht fitimet, vetëm e vetëm që të plotësojmë kërkesat e aksionerëve tanë. Ne shohim përpara. Kriza aktuale ka mjaft efekte të rënda, por ka edhe një pasojë pozitive. Ajo na detyron ne si menaxherë të mendojmë në mënyrë më racionale, të shkurtojmë shpenzimet e panevojshme, të analizojmë çdo proces dhe procedurë në kompanitë tona dhe, si përfundim, të përmirësohemi. Të përmirësohemi si profesionistë dhe si kompani. Do të tregoheshim të papjekur po të mos e shfrytëzojmë mësimin e detyruar që po marrim. Pikërisht ky mësim dhe rezultatet e tij mund të na japin mundësi të shmangim kriza të tjera. Shpresoj vërtet. Në vitin 2012, AMC filloi shtrirjen e rrjetit 3G, të cilin konferenca e sapombajtur “Infocom Shqipëria 2012″ e vlerësoi me çmimin e “Ekselencës në biznes”. Brenda një viti kemi mbuluar me sinjal 96% të popullsisë së vendit. Së shpejti do të arrijmë në 99% mbulim me sinjal 3G, madje me teknologjinë më të mirë HSPA+, e cila arrin shpejtësi 42 Mbps në zona të caktuara. Kush ka udhëtuar kohët e fundit në shtetet europiane dhe ka bërë krahasime, më kupton qartë kur them se rrjeti ynë nuk mbetet aspak prapa rrjeteve 3G në Europë.
Për sa i përket komunikimit tuaj me publikun, AMC e ka vënë theksin te zhvillimet teknologjike. Çfarë përfaqësojnë këto zhvillime?
Keni të drejtë. I kemi dhënë dhe do t’i japim përparësi progresit teknologjik, por duke zhvilluar vazhdimisht edhe aspekte të tjera të shërbimeve tona. Një teknologji më e mirë përkthehet në shërbim të përmirësuar për abonentët dhe efikasitet më të madh për AMC. Ne besojmë se abonentët shqiptare meritojnë të njëjtat përfitime si ata europianë. Por, nuk duhet të kënaqemi me gjendjen e sotme; duhet të ecim vazhdimisht përpara dhe të plotësojmë nevojat e ardhshme të abonentëve. Teknologjia nuk fle. Nëse mbetesh prapa kohe, je i humbur. Grupi ku bëjmë pjesë ka hedhur shërbimin LTE, thënë ndryshe 4G, me shpejtësi deri në 100 Mbps, në pesë vende europiane: Hungari, Kroaci, Austri, natyrisht Gjermani dhe së fundmi Greqi. Së shpejti edhe në degë të tjera europiane të grupit. AMC dëshiron të sjellë fjalën e fundit të teknologjisë në Shqipëri, ndaj kemi plane ta zhvillojmë infrastrukturën tonë, në mënyrë që të jemi gati për rrjetet e së ardhmes. Interneti i lëvizshëm dhe i shpejtë çel një portë drejt botës, drejt pluralizmit të kulturave, ideve, novacioneve, informacionit të pafund dhe modeleve pozitivë. Aksesi do të jetë super i shpejtë në mbarë vendin. Këto rrjete shumë shpejt do të arrijnë shpejtësi 1 Giga, e cila nuk përfytyrohej para pak vitesh. Sigurisht që këto zhvillime kërkojnë angazhim në investime. Shkalla e këtyre investimeve i bën ato të rëndësishme edhe për vetë shtetin. Një kompani, para se të japë zotime, duhet të ketë garanci se do të trajtohet në mënyrë të barabartë dhe barazia do të vazhdojë deri në fund. Edhe një element i rëndësishëm: lojtarët e tregut duhet të trajtohen të gjithë njëlloj! Megjithatë, jemi në epokën e 3G, kështu që kemi rrugë për të bërë. Shohim me kënaqësi një kërkesë të konsiderueshme nga abonentët për shërbime data. Kontributi i këtyre shërbimeve në të ardhurat tona është trefishuar nga viti në vit dhe bëhet fjalë vetëm për një vit me licencën 3G.
Nisur nga sa thatë, investimi në teknologji zë vend kryesor në planet dhe arritjet e kompanisë. Por si mund ta vendosim në kuadër të biznesit?
Shpeshherë teknologjinë e çon para kërkesa. Ne nuk kemi pse të fillojmë nga e para, pasi ekonomitë me fuqi më të lartë blerëse i kanë kaluar këto përvoja. Është me vend të pohoj se produktet apo shërbimet e suksesshme të Europës Perëndimore do të kenë sukses edhe këtu. Gjithçka është thjesht çështje kohe, madje kjo distancë në kohë bëhet përherë e më vogël. Kështu që investimi në teknologji është i sigurt edhe kur bëhet para se të lindë kërkesa nga konsumatori. Megjithatë, investimi i parakohshëm mund të çojë në rezultate të dobëta biznesi. Tregu, kur është gati, jep shenja të qarta. Nxitimi asnjëherë nuk është i mirë.
Pak më lart përmendët cilësinë e shërbimeve tuaja, e cila shkon drejt standardeve europiane. Le të bëhemi më të drejtpërdrejtë. AMC, prej pak vitesh, është pjesë e grupit të madh “Deutsche Telekom”. Ç’do të thotë ky fakt për kompaninë dhe konsumatorin shqiptar?
Ky zhvillim është mjaft i rëndësishëm. E quaj zhvillim, sepse nuk është një dukuri e shkëputur. Është një proces i vazhdueshëm, një bashkëpunim në evoluim e sipër dhe një progres për sa i përket cilësisë. Hyrja në familjen e madhe të “Deutsche Telekom” do të thotë që cilësia e shërbimit tonë të arrijë standardet e grupit. Kuptohet se objektivi ynë është t’u ofrojmë abonentëve shqiptarë të njëjtën cilësi shërbimi si në Europën Perëndimore. Ne kemi përfitime të shumta nga të qenit pjesë e këtij grupi të madh. Ne kemi akses te shërbimet që janë hedhur në treg në disa vende, kemi mundësi t’i sjellim ato në Shqipëri me kosto zhvillimi të ulët dhe cilësi maksimale. Shpresoj që në vitin 2013 të paraqesim disa prej këtyre shërbimeve. Për momentin nuk mund të zbuloj më shumë!
Prej dy vitesh punoni dhe jetoni në Shqipëri. Si do ta përshkruani përvojën tuaj këtu? Ç’mendim keni për Shqipërinë dhe shqiptarët?
Unë kam lindur në Janinë, jo larg kufirit me Shqipërinë. Im atë ishte nga Zagoria. Përshtypja e parë e natyrës është ngjashmëria me vendin tim: malet, bregdeti. I kam rënë tri herë deri tani vendit kryq e tërthor dhe them i bindur se peizazhi shqiptar është i bukur. Më pëlqejnë shumë qytete. Shkodra në Veri është e mrekullueshme. Qytetet bregdetare në Perëndim janë shumë të këndshme. Qyteti i vjetër i Gjirokastrës më kujton një qytet të vogël afër vendlindjes time, ndaj e kam të preferuarin tim në Shqipëri. Besoj shumë se turizmi mund dhe duhet të jetë njëri prej faktorëve kryesorë të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Tirana është qytet modern. Progresi i saj është i dukshëm edhe për mua, megjithëse kam fare pak vite këtu. Këtu situata lëviz me shpejtësi. Infrastruktura po zhvillohet, e ardhmja duket e ndritur. Më shumë më pëlqen brezi i ri. Te të rinjtë dalloj qytetarë të kulturuar europianë, trendi dhe elegantë. Besoj se e ardhmja e Shqipërisë është në duar të sigurta. Për mua është nder që ndodhem këtu në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe që marr pjesë në atmosferën festive që ndihet kudo. U uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar Festën e Pavarësisë!

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›