Blegtorët e Fierit në protestë për çmimin e qumështit, Autoriteti i Konkurrencës: Po hetojmë nëse ka shkelje

Autoriteti i konkurrencës ka reaguar për protestën e blegtorëve të Fierit lidhur me uljen e çmimit të qumështit nga fabrikat përpunuese, që sipas tyre po sjellë prishje të konkurrencës së drejtë në treg.
Kryetari i Autoritetit të Konkurrencë, Denar Biba zhvilloi një takim në zonën e Fierit me blegtorët të cilët prej ditësh janë duke zhvilluar disa protesta të natyrës ekonomike.
Autoriteti i Konkurrencës tha se ka nisur një hetim për të parë nëse ka shtrembërim apo pengim të konkurrencës së drejtë në treg.
“Nëpërmjet këtij hetimi por dhe dëgjesave me palët e interesuara dhe të prekura nga kjo situatë, Autoriteti i Konkurrencës do të evidentojë nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës dhe në rast konstatimi të shkeljeve do të marrë masat përkatëse në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 9121 dt. 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës””, thuhet në njoftim.
Fermerët e Fierit dhe Mallakastrës kanë dalë në protestë në lidhje me çmimin e ulët të qumështit që ofrojnë grumbulluesit. Vitin e kaluar sipas fermerëve qumështi i bagëtive të imta është mbledhur me 170 lekë për litër, ndërsa çmimi që ofrohet këtë vit është shumë më i ulët 120 lekë. Kjo situatë e krijuar po i çon fermerët drejt falimentimit për shkak se ata nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.
/rtsh.al/