Blendi Nallbani, oferte nga KatariPortieri i Tiranës, Nallbani: “Oferta nga Katari? Mendova se ishte ‘kamera e fshehtë”. Më kanë ofruar 300 mijë euro në sezon, por unë s’them lehtë “po”

Blendi Nallbani, portieri i Tiranës ka treguar dje detajet e superofertës që ka marrë para dy ditësh nga dy sheik arab. Në mesditën e të premtes dy arabë, së bashku me një përkthyes shqiptarë kanë takuar “Tatën” në hotel Tirana International dhe pasi kanë konsumuar një kafe së bashku, kanë diskutuar mundësinë që portieri 38-vjeçar të transferohet në sezonin e ardhshëm tek skuadra që është shpallur kampione këtë sezon me Katarin.
300 mijë euro në sezon është ajo që i kanë ofruar sheikët arab Nallbanit i cili nuk ka vendosur për të ardhmen e tij dhe tani që karriera e tij është drejt fundit ai po provon një dilemë të madhe.
“Po, është e vërtetë që kam takuar dy biznesmenë arabë ditën e premte paradite dhe kemi folur për një transferim të mundshëm në Katar. Ata kishin ardhur dhe disa herë të tjera në Tiranë, fillimisht në ndeshjen miqësore Tirana-Milan dhe më pas kanë ndjekur dhe disa ndeshje të tjera. Në ndeshjen e fundit që kishin qenë në Tiranëm, në takimin ku ne luajtëm ndaj Vllaznisë, në gjysëm finalen e Kupës së Shqipërisë. Nga sa fola me dy arabët, mësova se ata kishin ardhur në Tiranë për të parë disa lojtarë të tjerë dhe jo mua. Pas këtyre ndeshjeve ata kishin menduar të kontaktonin me mua dhe kishin gjetur mundësinë për të më kontaktuar dhe më bënë një kërkesë për të pirë një kafe e për të folur së bashku”, ka deklaruar portieri i Tiranës Nallbani.
Më pas ai ka treguar për impaktin e parë që i është krijuar kur ka mësuar për interesimin e biznesmenëve arabë duke treguar se nuk i besohej dhe fillimisht kishte menduar se ishte një shaka që po i bëhej. “Mendova se ishte një kamera e fshehtë dhe nuk doja të dilja në takim pasi çfarë nuk na kanë para sytë në të tilla raste. Më pas ma konfirmuan që ishte një takim serioz dhe i kam takuar dy biznesmenët arab tek “15-katëshi”. Fillimisht u interesuan për kontratën që unë kam me Tiranën, nëse jam lojtar i lirë apo jo dhe tepër interes treguan në faktin nëse unë e dëshiroj një transferim të tillë apo jo. i thashë se fillimisht duhet të flas me drejtuesit e klubit të Tiranës e më pas të mendohem pasi nuk është një vendim që mund të merret lehtë. Unë kam pasur shumë oferta në moshën 17-vjeçare kur sapo kisha nisur të luaja futboll dhe i kam refuzuar për shumë arsye. Nuk është e lehtë të zgjedhësh për më tepër tani që jam në një moshë ku s’më lejohen aventura. Në fund të bisedës vendosëm që të takohemi sërish në javën e ardhshme për të vendosur përfundimisht nëse do të pranoj ofertën e bërë apo jo. Nuk e mohoj që është një ofertë mjaft e majme, por më parë siç e thashë dhe më parë më duhet të mendohem mirë” ka deklaruar portieri i Tiranës, Blendi Nallbani.
E Diele, 31 Maj 2009