E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari, emra të mëdhenj për merkatonDeri tani është blerë vetëm talenti Roshi. Por klubi kërkon Devollin, Osmani, Brkiç etj

Edhe pse zyrtarisht drejtuesit e skuadrës të Flamurtarit kanë deklaruar largimin e katër futbollistëve kroat, Paniç, Alvizh, Kon dhe Brajkoviç, burime bëjnë me dije se deri më 8 qershor, kur skuadra do të fillojë përgatitjet do të ketë dhe firo të tjera. Në të kundër, trajneri Memushi dhe stafi tij janë duke menduar zgjidhjet më të mira, për të formuar për sezonin e ardhshëm një skuadër të fortë dhe konkuruese të denjë. Nga ana tjetër, po mendohet me shumë kujdes dhe profesionalizëm për afrimet e reja pranë Flamurtarit. Deri tani është zyrtarizuar si prurje nga merkato vetëm ajo e mesfushorit fierak Odise Roshi, për të tjerat është duke u punuar fort në shumë pista. Gjithsesi janë vetë drejtuesit e klubit ata që shprehen se: ”Përforcime na duhen në të gjitha repartet e skuadrës për të formatuar atë ekip që dëshirojmë për sezonin e ardhshëm”. Duke parë dhe analizuar gjendjen momentale të skuadrës të Flamurtarit përveç portës, zgjidhjet më të mundshme që do të mësohen më saktësisht do të jenë pak a shumë të tilla:

Mbrojtja - Beqiri, Veliu, Guga dhe Begaj tashmë janë pjekur mirë dhe kanë treguar se edhe për sezonin e ardhshëm do të përbëjnë atë pjesë të titullarëve, të cilëve mund t’iu besohet sezoni i ardhshëm. Largimi i qëndërmbrojtësit Paniç, detyrimisht që ka bërë që vlonjatët të mendojnë për një zëvendësues edhe më të mirë. Në listën e kërkesave për merakton janë qendërmbrojtëesi fierak Shoshi dhe ai i Tiranës, korçari Osmani. Balotazhi midis tyre për të veshur fanelën e Flamurtarit pritet të jetë i fortë, sepse të dy kanë shprehur dëshirën të vijnë në Vlorë.

Mesfusha - Eshtë reparti i skuadrës që ka më shumë futbollistë cilësorë. Në ambientin që rrethon skuadrën ka zëra për largime të tjera nga ky repart. Gjithsesi, largimi i kroatit Alvizh ka bërë që drejtuesit të kërkojnë në merakto një mesfushor tjetër shkatërrues, që të jetë edhe më i aftë dhe shumë inteligjent. Konfirmimi për ardhjen e fierakut Roshi, duket se nuk është zgjidhja më e mirë për këtë rol. Kuqi, Zeqiri, Rustemi, Strati e të tjerë ndoshta kërkojnë një koleg më cilësor në repartin e tyre. Edhe për këtë post flitet se janë dy kandidatura nga merkato, Bledar Devolli dhe Gentian Gjondeda. Të dy pëlqehen nga drejtuesit e Flamurtarit, por do të jetë kërkesë-oferta ajo që mund të vendosë gjithçka.

Sulmi - Të konfirmuar deri tani për sulmin vlonjat që do të qëndrojnë janë korçari Devis Mema dhe vlonjati Ardit Shehaj. Të dy janë personazhe që treguan vlera për skuadrën sezonin e kaluar. Në dilemë mbetet e ardhmja e sulmuesit shkodran Galica. Me largimin e sulmuesit Brajkoviç, që së fundi paraqiti probleme me formën e tij sportive, vlojatët kanë filluar të mendojnë për përforcimet e duhura për këtë repart. Sulmuesi i Partizanit, korçari Marius Ngjela ka disa muaj që ndiqet nga vlonjatët, për ta bërë pjesë të skadrës së tyre. Largimi i Partizanit nga kategoria superiore duket se do ta lehtësojë shumë lëvizjen e tij drejt Flamurarit. Një tjetër kanidaturë e pëlqyeshme për vlonjatët është dhe sulmuesi i Apolonisë, serbi Brkiç. Për këtë sulmues mbetet për t’u parë vetëm shuma që kërkohet, për prishjen e kontratës të tij me firakët, që edhe mund të kthehet në një pengesë, për t’u veshur kuqezi tek Flamurtari.

E Diele, 31 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›