Bler: Këshillat për Ramën, pa pagesë

sh-Kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler është shprehur edhe një herë i gatshëm për të këshilluar qeverinë e re të Shqipërisë. Një zëdhënës i ish-Kryeministrit thotë se, Bler është gati të ofrojë kontributin e tij për kundrejt një kontrate jofitimprurëse. Qeveria e re në Shqipëri është vendosur për të punësuar Toni Blerin si këshilltar, pas fitores së thellë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Koalicioni i liderit të P-së, Edi Rama ka fituar bindshëm duke marrë 84 mandate nga 140 që ka parlamenti dhe do të rikthejë socialistët në pushtet për herë të parë që pas vitit 2005.
Rama, i cili fitoi lëvdata si kryebashkiak i Tiranës, u takua me ish-Kryeministrin e Britanisë, Toni Bler në zyrën e tij në Londër, një muaj më parë. Një kontratë zyrtare nuk është firmosur, porpritet që Bler të japë këshilla për tërheqjen e investimeve, promovimin e turizmit dhe për t’i dhënë një hov të ri procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë takimit, Bler i tha Ramës se, “do të isha shumë i lumtur nëse do t’ju ndihmoja, jam shumë i interesuar për vendin tuaj.”
Shqipëria mbetet një prej vendeve më të varfra në Evropë, me një mesatare të ardhurash prej 250 eurosh në muaj. Gjatë fushatës, Rama premtoi reforma në sektorin publikë dhe rritjen e mundësive për punësim. Një tjetër eksponentë i Laburistëve të Rinj, Alesteir Kembëll, thuhet se ka luajtur rol kyç në fitoren e Socialistëve. Ish-drejtori i komunikimit të Blerit, ka dhënë këshilla për strategjinë elektorale dhe për politikat e përgjithshme të Partisë Socialiste në garën për fitimin e zgjedhjeve.
“Toni Bler i dërgon urime të ngrohta Edi Ramës për fitoren në zgjedhje. Ashtu siç kemi thënë më përpara, ne do të ishim shumë të lumtur të punonim me qeverinë e re të Shqipërisë. Por, në fakt nuk ka asnjë kontratë të firmosur dhe nëse do të ketë, puna jonë do të jetë jo fitimprurëse”, shprehet zëdhënësi i Bler./Indeksonline/