E Diel, 1 Nëntor 2026

Latifi premton investime në shëndetësi

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, ka takuar punëtorët e shëndetësisë në QKMF “Dr. Fahredin Hoti” në Rahovec. Ai ka biseduar me punëtorët për gjendjen aktuale dhe përmisimin e sektorit të shëndetësisë.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Rahovec, Florije Boshnjaku, tha se qëllimi i takimit është informimi për punën dhe kërkesat e punëtorëve.

“Kemi ardhur këtu që të dëgjojmë shqetësimet dhe kërkesat tuaja, me qëllim të rritjes së efikasitet në punët tuaja në shërbim të qytetarëve”, tha Boshnjaku. Sipas saj, në bazë të kërkesave të punëtorëve do të bëhet edhe planifikimi afatshkurtër dhe afatgjarë i investimeve në shëndetësi. “Ne e dimë që kemi mungesë të punëtorëve në disa shërbime, por pranimi i punëtorëve të rinj nuk është në dorën tonë”, tha Boshnajku.

Sipas saj, deri më tash janë ndërtuar disa AMF-ja të reja në Xerxë dhe në Brestoc. “Kurse në lagjen e epërme në qytet brenda pak ditëve do të jetë në funksion qendra e re.Po ahstu edhe në Polluzhë do të nisë ndërtimi i AMF-së”, tha Boshnjaku. Ajo tregoi se në Ratkoc dhe Krushë të Madhe, ka nisur të ofrohet shërbimi shëndetësor në dy ndërrime.

Dr. Xhelal Zhuniqi, kërkoi nga Komuna që të sigurohen disa aparate për matjen e sheqerit në gjak. Laboranti Bashkim Gashi, ndërkaq tha se aparatura për bërjen e analizave që është në AMF-në në Fortesë është shumë e sofistikuar. ”Por karëkoj që mos dërgohen njerëz jo të kualifikuar që të punojnë me to, sepse mund t’i nxjerrin jashtë funksionit”, tha Gashi.

Kryetari Smajl Latifi tha se përgjegjësinë për rritjen e të punësuarve e ka Ministria e Shëndetësisë. “Në takimin e fundit që kemi pasur me ministrin Agani na është thënë se Ministria e Financës nuk lejon rritjen e numrit të punëtorëve, sepse kjo lidhet me politikat financiare të Qeverisë së Kosovës. Një gjë të tillë nuk e preferon as FMN-ja. Kurse privatizimi i shërbimit të mirëmbajtjes në shërbimin shëndetësor nuk mund të ndodh këtë vit, sepse nuk jemi mjete të mjaftueshme për të mbuluar kontratën. Në vitin tjetër do të bëjmë përpjekje që të sigurojmë mjete që kjo të ndodh, sepse në këtë mënyrë mund të krijohen vende të reja pune për mjekët dhe infermierët”, tha Latifi

Ai premtoi se në planifikimin e buxhetit për vitin 2014, do të përfshihen të gjitha kërkesat dhe propozimet e punëtorëve të shëndetësisë. “Po ashtu prej muajit korrik do të paguhen kujdestaritë dhe honoraret.Besoj që në vitin 2014, do të kemi një stabilitet financiar dhe do të mund të kompensojmë punëtorët shëndetësor që bëjnë punë shtesë jashtë orarit”, tha Latifi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›