E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bler u njoftua për dëmtimin e ushtrisë nga lufta në Irak

Dy ish-ministrat e tij e paralajmëruan të reduktonte ndjeshëm trupat

Toni Bler u paralajmërua se forcat e armatosura do të dëmtoheshin rëndë nëse Britania nuk do të zbatonte zotimet e saj afatgjata në Irak. Kjo, sipas një dokumenti që është mbajtur sekret deri më tani dhe që është publikuar dje. Në prag të sulmit të marsit të vitit 2003, Sekretari i Jashtëm, Xhek Strau, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Xhef Hun, i thanë Blerit, Kryeministrit të asaj kohe, se Britania duhet që të reduktonte forcat e saj në Irak me dy të tretat në vjeshtën e atij viti. Strau dhe Hun i thanë Kryeministrit se mbajtja e trupave të tepërta në Irak do të kishte një ndikim shumë të madh në operacionet e tjera. Një ekstrat nga një letër sekrete e ministrave të sipërpërmendur, drejtuar Blerit, e datës 19 mars 2003, është publikuar dje nga komisioni që merret me hetimin e legjitimitetit të luftës në Irak. Dy ish-ministrat shkruanin se “do të ishte e nevojshme që trupat në Irak të reduktoheshin me dy të tretat jo më larg se vjeshta, në mënyrë që të shmangim dëmin afatgjatë që mund t’u shkaktohet forcave të armatosura”. Britania e Madhe në mars dhe prill të vitit 2003 përfshiu në fushatën e Irakut 46 mijë trupa dhe më pas ato ranë në 18 në fund të majit. Letra e ministrave iu dërgua Kryeministrit dhe ata prisnin një reduktim të ndjeshëm të trupave. Sipas shumë analistëve dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe të mbrojtjes në Britaninë e Madhe, mendohej se trupat britanike të reduktuara do të vazhdonin që të qëndronin në Irak të paktën edhe për 2 deri në 3 vjet të tjera dhe në fund të kësaj periudhe, maksimumi i trupave do të ishte 1000. Për sa u përket trupave britanike, thuajse të gjitha ato u tërhoqën nga Iraku vetëm vitin e kaluar, pra pas 6 vitesh. Sipas specialistëve, nuk është bërë ende një llogari e saktë e dëmeve afatgjata që ka pësuar ushtria britanike nga kohëzgjatja e qëndrimit në Irak dhe lloji i operacioneve të kryera aty, por mendohet se dëmi është shumë i madh, që do të thotë se dy ish-ministrat, në letrën e tyre drejtuar Kryeministrit, kishin pasur plotësisht të drejtë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›