E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Fajtor është Feith dhe ndërkombëtarët

Beogradi Presidenti serb mbledh Këshillin e Sigurisë për ngjarjen në Mitrovicë

“Incidenti në Mitrovicë ishte provokim për paqen dhe Serbinë”, ka deklaruar Presidenti serb, Boris Tadiç. Kreu i Serbisë ka theksuar se Beogradi nuk do të veprojë ndaj provokimeve, por do të kërkojë reagimin e të gjitha organizmave ndërkombëtare. Deklarata e Tadiçit u bë pas incidentit të djeshëm në Mitrovicë. Këshilli për Siguri Kombëtare i Serbisë, i ftuar dje me urgjencë nga Presidenti Boris Tadiç, ka vlerësuar se sulmi me bomba në Mitrovicë ishte akt terrorist dhe se përgjegjësinë për të e mban përfaqësuesi i BE-së, Pieter Feith, raportojnë agjencitë nga Beogradi. Në shpërthimin në Mitrovicë ka vdekur një person dhe janë plagosur njëmbëdhjetë të tjerë. Në Mitrovicë serbët kanë protestuar kundër hapjes së zyrës së qeverisë së Kosovës për dhënien e dokumenteve civile për qytetarët në pjesën veriore të qytetit. Sipas mediave serbe, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, në mbledhjen e Këshillit për Siguri Kombëtare, ka kërkuar nga Bashkimi Europian dhe NATO që të pengohet çfarëdo përpjekjeje tjetër e ndryshimit të njëanshëm të situatës në terrenin e Kosovës, si dhe të mos lejohet zbatimi i çfarëdo akti që do të shkonte në drejtim të përpjekjes së zbatimit të “Planit për veriun e Kosovës”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›