Pensionistët: Rritja më skandaloze
Të moshuarit e Qarkut të Fierit, si në zonat urbane dhe në ato rurale, kundërshtojnë rritjen e fundit të pensionit, e cila nis më 1 korrik. Shumë të moshuar kanë thënë se rritja është mospërfillëse dhe e pandjeshme. Kështu, një pensionisti në Fier, por edhe në gjithë vendin, i takon të marrë me pensionin e radhës një shumë që varion nga 3500 deri në 1000 lekë. Kjo është kuota minimale dhe maksimale e rritjes së pensionit. Këto kuota dihen tashmë nga të moshuarit e Fierit, që ndryshe nga herët e tjera nuk kanë rendur nëpër sportelet ku tërheqin pensionet. Punonjëset e këtyre të fundit kanë thënë për gazetën se nuk shihet një interesim i veçantë nga ana e pensionistëve, edhe pse u fol për rritje. “Nuk ka pasur fluks pleqsh që pyesin për pensionet dhe shumat që u rriten. Ndryshe nga herët e tjera, apo për Vitin e Ri, ku ka shpërblime, në këtë korrik të moshuarit vijnë e pyesin vetëm nëse kanë ardhur lekët apo jo, dhe nuk pyesin fare për rritjen”, thotë një shpërndarëse pensioni në një nga sportelet e Fierit. “Qeveria tallet me ne moshën e tretë. Ashtu si dhe me shtresat e tjera sociale edhe me ne qeveria ka kohë që tallet. Më saktë të gjitha qeveritë kanë përdorur ironinë për pensionet tona”, ka thënë Sokrat çobo, një i moshuar. Një tjetër thotë se e habit ministri Bode që shumën e rritjes së pensioneve e lexonte me lekë të vjetra, duke thënë 10 mijë lekë dhe çuditërisht për shpjegime të tjera ekonomike përdor fjalor me lekë të reja.
#