E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blerandi flet për demagogji

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), pohojnë se me zgjedhjet e mbajtura së fundi në Ferizaj dhe Kaçanik, u dëshmua edhe njëherë besimi i palëkundur i qytetarëve në PDK-në dhe vizionin e evropian të saj.

Blerand Stavileci, zëdhënës i PDK-së, në një konferencë për media, pohoi se votat e qytetarëve të Ferizajt dhe Kaçanikut, përveç që janë barometër i besueshëm dhe real për disponimin e qytetarëve në përgjithësi, disa partive opozitare duhet t’u shërbejë si kronometër, se është duke perënduar koha e demagogëve politik.

“Votat e qytetarëve të Ferizajt dhe Kaçanikut, përveç që janë barometër i besueshëm dhe real, për disponimin e qytetarëve në përgjithësi, disa partive opozitare duhet t’i shërbejë si kronometër, se është duke perënduar koha e demagogëve politik. Ndërsa ne si subjekti politik, më i madh dhe më i konsoliduar në vend, do të vazhdojmë të angazhohemi edhe më fuqishëm, për t’i realizuar projektet që burojnë nga vizioni evropian, e që kanë synim zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha Stavileci.

Ai po ashtu theksoi se pas qytetit të Ferizajt, qytetarët të cilët shërbyen si model i mirë edhe për të tjerët, tani edhe qytetarët e komunës së Kaçanikut, dëshmuan sjellje dhe pjekuri mjaftë të lartë politike e civilizuese. Madje ata, sipas tij, dëshmuan një sjellje dhe pjekuri shumë të avancuar, e cila duhet të shërbejë si përgjegjësi shtesë në angazhimet institucionale dhe po ashtu duhet të shërbejë dhe si alarm i aktivizuar, për të rritur nivelin e kritikës dhe për t’i lënë anash retorikat boshe në adresimin e çështjeve të ndryshme në opinion.

“Kjo e fundit duhet t’i shpërbejë, më së shumti atyre partive opozitare, që gjuhen e tyre ta ndërtojnë mbi argumente dhe arsye, e jo mbi deklaratat të zbrazëta politike dhe jo përmbajtësorë”, tha Stavileci.

Ai, po ashtu, theksoi se PDK, si subjekt politik, dëshiron të ketë një konkurrencë të mirëfilltë politike, duke shpresuar se sjellja dhe pjekuria e dëshmuar e qytetarëve në këto zgjedhje, do të ndikojë dhe në rritjen e pjekurisë politike tek të gjithë.

Ndërsa sa i përket Kabinetit për Qeverisje të mirë për Prishtinën, të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Stavileci ka thënë se është çështje ditësh apo javësh zyrtarizimi i tij. Ai mohoi të ketë mosmarrëveshje për këtë kabinet brenda PDK-së, duke pohuar se asnjëherë më parë, nuk ka pasur një kohezion më të madh rreth kësaj çështje dhe se qëndrimet janë të unifikuara. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›