E Diel, 1 Nëntor 2026

Jahjaga: NATO të vazhdojë me heqjen e barrikadave

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur në një takim komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin James Stavridis. Jahjaga ka kërkuar nga ai që të vazhdoj aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadave në veri

Presidentja Jahjaga fillimisht ka dënuar sulmin e djeshëm me granatë në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i KFOR-it.

Ajo ka vlerësuar se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe paraqet edhe një përpjekje të strukturave ilegale dhe kriminale serbe për të penguar sundimin e rendit dhe ligjit në tri komunat veriore të Kosovës.

Duke vlerësuar se veriu mbetet sfida kryesore për institucionet e Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shprehur mbështetje të fuqishme për aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në gjithë territorin e Republikës.

Në këtë kontekst, Presidentja Jahjaga ka theksuar se trupat e KFOR-it duhet të rrisin vigjilencës gjatë periudhës së hapjes së zyrës administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën veriore.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga me komandantin suprem të NATO-s për Evropë, admiralin Stavridis, ka biseduar edhe për të ardhmen e FSK-së duke u përqendruar në arritjen sa më të shpejtë të kapaciteteve të plota operacionale.

Presidentja Jahjaga ka falënderuar NATO-n për kontributin e tyre 13 vjeçar në Kosovë, si faktor paqeje dhe stabiliteti për gjithë rajonin.

Admirali Stavridis e ka siguruar presidenten Jahjaga që NATO-ja do të mbetet e përkushtuar në krijimin e mjedisit të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu e ka njoftuar Presidenten Jahjaga se nuk është paraparë zvogëlim i numrit të ushtarëve në KFOR-it në Kosovë që janë të gatshëm të përmbushin misionin e tyre.

Admirali Stavridis theksoi se institucionet e Kosovës janë në rrugë të mbarë me gjithë punën dhe angazhimin e tyre në realizimin e synimeve për integrimet euroatlantike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›