Dialogu teknik me Beogradin ka përfunduar!

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Krasniqi tha se ngritja e zyrës është konkretizim i përpjekjeve të njëpasnjëshme të qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në këtë zonë dhe ftoi të gjithë qytetarët serbë të ndjekin rrugën e bashkëkombësve të tyre në pjesët e tjera të Kosovës duke u integruar në institucionet e Prishtinës.
“Zyra kë qenë e planifikuar më herët në kuadër të Pakos Ahtisaari ku parashikohet që edhe pjesa veriore të ketë një komunë në shërbim të qytetarëve. Përpjekjet për komunën nuk kanë rezultuar të suksesshme. Por tani ne kemi zyrtaren që do të merret me përgatitjen e administratës në shërbim të qytetarëve në atë pjesë të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
“Shpresojmë që serbët e asaj pjese të ndjekin shembullin e komunave të tjera serbe në pjesën tjetër të Kosovës që janë integruar. Qëllimi është të vendoset një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët serbë të cilët duhet të shfrytëzojnë të drejtat që burojnë nga dokumenti Ahtisaari”.
Kryeparlamentar i Kosovës ka folur edhe për dialogun Prishtinë-Beograd dhe për mundësitë që ekzistojnë për vazhdimin e tij në kohën kur në Serbi u zgjodh president Tomislav Nikolic, nga qarqet radikale të politikës serbe.
“Dialogu Prishtinë-Beograd për çështje teknike ka përfunduar. Tani është koha që qeveria e Kosovës të dialogojë me banorët serbë të asaj pjesë të Kosovës. Vlerësojmë rolin e BE-së dhe SHBA-së me bisedimet me Beogradin. Jemi të bindur që janë arritur disa marrëveshje që Serbia duhet t’i zbatojë ato dhe këtë duhet ta kërkojë edhe Brukseli si mbikëqyrës i këtyre marrëveshjeve të arritura”, ka thënë Krasniqi, raporton TCH.
“Është herët të flasim për bashkëpunim me Serbinë pas zgjedhjes së Nikolicit. Ai vjen nga grupet radikale të politikës serbe, por në deklaratat e fundit thotë se njeh marrëveshjet e arritura Kosovë-Serbi dhe se do vazhdojë rrugën e integrimit evropian për Serbinë. Neve si fqinj na intereson kjo, një Serbi europiane për të mirën e të gjithëve”.