Blerim Destani: Jam tepër i zënë për të gjetur femrën ideale

Aktori shqiptar nga Tetova nuk e lë veten në hije për asnjë moment. Nëse nuk bëhet fjalë për një projekt kinematografik, do të ketë ndonjë lajm nga jeta private, ose e kundërta. Megjithatë, këtë herë për çudi kanë rastisur të dyja; ai ndodhet në Tiranë me rastin e shfaqjes së filmit të tij “Dossier K”, ndërkohë që nuk lë pa zbuluar edhe planet për familjen, që po i pret me qejf të madh...
Aktori shqiptar nga Tetova nuk e lë veten në hije për asnjë moment. Nëse nuk bëhet fjalë për një projekt kinematografik, do të ketë ndonjë lajm nga jeta private, ose e kundërta. Megjithatë, këtë herë për çudi kanë rastisur të dyja; ai ndodhet në Tiranë me rastin e shfaqjes së filmit të tij “Dossier K”, ndërkohë që nuk lë pa zbuluar edhe planet për familjen, që po i pret me qejf të madh... “Unë deri para 1 viti as që e kam menduar martesën. Por falë fëmijëve të vëllait, këto kohë më është futur në qejf kjo punë. Madje, kam bërë tatuazh siç e shihni edhe në krahun tim, emrat e dy vajzave të vëllait, Medina dhe Lara. Familja po më intereson shumë tani”, - thotë në intervistën për “Standard” Destani. Në vjeshtën e vitit 2010, ai u vlerësua për interpretimin te “Dosja K”, si “Aktori më i Mirë “në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, kurse filmi u vlerësua me çmimin special të Jurisë.
Ju keni ardhur në Tiranë për të prezantuar filmin tuaj “Dossier K”, që bazohet te një histori gjakmarrjeje dhe që është vlerësuar nga kritika botërore. Ç’mund të na thoni më tepër për të?
Filmi “Dossier K” është film komercial, që bazohet në shikueshmëri. Ka pasur sukses të madh në Belgjikë, Francë, Holandë, Spanjë, Gjermani dhe Japoni, të cilët kanë edhe një kod të tyrin si “Kodi i Lekë Dukagjinit”. Ka pasur sukses edhe me dvd, në televizione etj.
Për gjakmarrjen janë bërë shumë realizime kinematografike. Mendoni se mbetet ende një temë aktuale?
Tema e gjakmarrjes ka mbi 50 vjet që ka sukses në kinematografi, por mënyra sesi e tregon atë, është mjeshtëri e regjisorit. Njerëzit i tërheq kjo temë, pasi edhe po të hapësh tv, sheh vrasje, hakmarrje etj. Aq më tepër që filmi është sjellë në aktualitet. Ai është bazuar në historinë e një libri shumë të suksesshëm në Belgjikë dhe Holandë, që titullohet gjithashtu “Dossier K”. Në të flitet për manipulimet, që u janë bërë emigrantëve në vitet’80-90. Edhe në film tregohet mënyra, sesi një ministër për të përfituar partia e tij, ka futur në lojë 3-4 familje shqiptare. Por drama e filmit është, që një nga policët dashurohet me një vajzë dhe nuk e respekton vendimin e dhënë nga eprori, duke zbuluar kështu të vërtetën. Në fund zbulohet që manipulatori i të gjithë personave të përfshirë ka qenë vetë ministri, gjë që ka ngjallur shumë debate. Për më tepër që në Belgjikë nuk ka pasur gjakmarrje, është hera e parë.
Sa rëndësi zë për ju publiku shqiptar, kritika që bëhet këtu te ne?
Ka shumë njerëz që kanë talent në trojet shqiptare. Kur nuk ndodh asgjë, ëndrra të humb, nis e venitet. Kur ka premiera e shfaqje filmash, të talentuarit motivohen. Është e rëndësishme për ne, të tregojmë se kush jemi. Ka shumë talente, por ata ndoshta nuk e kanë pasur shansin të shfaqen.
Është e lehtë të bëhesh aktor?
Jo, është e vështirë. Duhet shumë punë, jeta jote duhet t’i kushtohet artit. Nuk është se bën 2 filma apo 2 shfaqje në teatër dhe duhet të konsiderohesh aktor. Aktor është ai, që jeton me filmin, jeton me kritikën. Vetëm atëherë mund të thuash që je futur në botën e kinematografisë dhe kur futesh në këtë botë, kupton që nuk je kurrkund. Megjithatë, është mirë të fillohet...
Po të ktheni kokën pas në fillimet tuaja, sa përqind do t’ia atribuonit talentit dhe sa përqind fatit, pasi ju vini nga një familje që ju ka përkrahur?
Unë mendoj që e lehtë nuk është asgjë. A e bën dot filmin, vetëm se njeh regjisorin?! A e bën dot filmin, pse ti njeh një ministër?! Unë mund të them se në hapat e parë më ka ndihmuar shumë familja, e cila më ka dhënë shtysën për t’u futur në kinematografi. I falënderoj shumë. Por, me 1, 2 apo 3 filma nuk bëhesh aktor. Filmi që më hapi dyert në arenën ndërkombëtare, duke u shfaqur në festivale të ndryshme, ishte filmi “Koha e kometës”. Por të mos harrojmë, që duhet të kesh edhe fat, përkushtim, të gjendesh në situata të favorshme...
Me çfarë po merreni aktualisht, pasi keni thënë që kohët e fundit lexoni vetëm skenare filmash?
Ka pak ditë që kam mbaruar një film. Muajt janar dhe shkurt kanë qenë shumë të suksesshëm për mua, pasi kam interpretuar dy filma, njëri prej së cilëve është pjesa e dytë e “Dossier K”, por aty nuk luaj rolin e një shqiptari, por të një meksikani. Nuk më kishte shkuar mendja, që në janar do realizoja dy filma. Për një aktor është fat të luajë në dy filma brenda vitit, ndërsa unë kam pasur fatin që këtë ta realizoj brenda dy muajve. Kur vjen, vjen... Kjo të bën të ndjehesh mirë, sepse inspirohesh, kupton rregullat e lojës etj.
Kemi dëgjuar lart e poshtë thashetheme, që ju keni dëshirë të martoheni. Sa e vërtetë është kjo?
Në fakt, nuk kam pasur akoma fatin të takoj njeriun e duhur. Duhet të jetë dikush që ndjehet mirë me atë punë që bëj unë, sepse filmi ka botën e vet dhe unë jam vazhdimisht në lëvizje. Shpresoj të martohem këtë vit, pse jo.
Po a ka ardhur personi i duhur?
Fatkeqësisht jo. Akoma s’kam takuar dikë, që t’i shpreh ndjenjat dhe të m’i shprehë. S’më ka ardhur ende ai person, që të lërë gjurmë në jetën time. Dikujt i vjen më parë, dikujt më vonë, kjo është e bukura e dashurisë. Me rëndësi është që të vijë, apo jo?!
Po juve si do t’i propozonit femrës që do donit të ishte bashkëshortja juaj? Me një propozim surprizë apo tradicional, si shqiptarët duke të kryesuar fejesa?
Unë deri para 1 viti as që e kam menduar martesën. Por falë fëmijëve të vëllait, këto kohë më është futur në qejf kjo punë. Madje, kam bërë tatuazh siç e shihni edhe në krahun tim, emrat e dy vajzave të vëllait, Medina dhe Lara. Familja po më intereson shumë tani. kaloj shumë kohë të lirë me fëmijët e vëllait, më shumë sesa me shoqërinë. Kam filluar të mësoj shumë gjëra nga fëmijët dhe Medina, edhe pse është 5 vjeçe, bisedon si e rritur me mua. Pra, dua të them se kjo me fëmijët është një eksperiencë e re, shumë interesante dhe normalisht që ndikon edhe në idenë e krijimit të familjes. Por për të realizuar këtë, nevojiten dy njerëz që duhen dhe që kanë një qëllim të përbashkët, apo jo?! Në botën e filmit kjo është paksa problem, sepse unë e ndaj jetën në vende të ndryshme, në lëvizje të vazhdueshme etj, gjë që nuk të mundëson shumë që t`i shprehësh ndjenjat dikujt. Kur ky moment të vijë, unë do them diçka edhe në media, pasi nuk mund të fsheh atë person, që është pjesë e imja. Për momentin nuk kam ç’të them. Por nëse momenti i duhur vjen, them se shumë shpejt unë do të martohem. Sa i takon propozimit, nuk më pëlqejnë planet, përkundrazi, më pëlqen modestia, spontaniteti dhe detajet e thjeshta.
Ju njiheni me shumë personazhe të famshëm, por pavarësisht kësaj keni mbetur një person me “këmbë në tokë”, shumë i thjeshtë...
Unë mendoj që njeriu varet edhe si rritet. Nuk mund ta bindësh një person pas 30 vjetësh jetë, që të jetë modest. Kjo krijohet në moshën e fëmijërisë, në hapat e para të jetës, sepse më vonë individi nuk i mëson dot kufijtë. Për të ilustruar këtë, dua të marr këtu si shembull shtëpitë me oborr, që i kemi zakon ne shqiptarët. Kur bëjmë shtëpi, bëjmë oborrin, në mënyrë që fëmija të dijë veç të tjerash edhe se ku e ka kufirin e të mos hyjë te komshiu për të marrë kumbulla, dardha etj. Prindi e mëson fëmijën me parimin “kjo është pjesë e familjes sonë”. Unë besoj se këtë gjë e kam mësuar në jetë dhe nuk dal jashtë atyre kornizave, atje ku nuk më takon. Me këtë frymë jam rritur dhe me këtë frymë do rris edhe fëmijët e mi, nëse Zoti do të më japë një ditë.
Po aktorët e Hollywood-it si janë, të thjeshtë?
Ata janë shumë të thjeshtë, janë njerëz që kanë parë aq shumë, saqë çfarëdo të flitet e dinë. Bisedoja me Robert Duvall dhe disa miq të tij, të cilët më pyetën se nga jam. Unë jam nga Maqedonia, por jam shqiptar, madje gjyshin e kam nga Shkodra. Kështu që unë u thashë atyre që jam shqiptar. Ai tha direkt emrin Enver Hoxha. Më pas më pyeti, se çfarë ka në Shqipëri, gjërat më tipike. Me këtë dua të them, që ata janë persona që interesohen për gjërat që nuk i dinë. Të nesërmen ai ishte futur në google dhe kishte parë Albania, plazhet e Sarandës etj dhe ma tha edhe mua. Por ata janë modestë dhe duan që të njëjtën gjë t’u japësh edhe ti. Kur je në film, konsiderohesh pjesë e “familjes” dhe nuk ka komplekse të tipit “kush je ti e kush jam unë”. Dikush që është shumë më i madh se ty ngrihet e të bën kafe, pa e konsideruar ofendim. Me këtë filozofi ecin ata.
Ju kemi parë me firmën tuaj të xhinseve. Si po ecin ato?
Po, kam hapur një brand xhinsesh që quhen “Red & Black”. Mund të them që xhinse nga kjo pronë shqiptare u kam nisur të gjithë aktorëve, me të cilët kam punuar, të cilët i kanë pritur me kënaqësi, ndërsa së shpejti do të kemi si imazh të xhinseve edhe Eliza Dushkun dhe Lorik Canën.
Ju shquheni për automjete luksoze dhe natyrisht të shtrenjta. Çfarë automjeti po përdorni së fundmi?
Ndër hobet e mi, në radhë të parë është motori, jam adhurues i flaktë i motorëve. Pastaj vijnë makinat e shpejta, pasi kur kam kohë ngas makinën me shumë kënaqësi. Unë për jetën e përditshme në Dusseldorf ku jetoj, kam një Smart dhe 2 makina sportive, të cilat i përdor vetëm kur është koha e bukur. Kam një Mercedes SL Black Serious. Ka gjithsej 100 automjete të tilla në botë dhe është shumë e shpejtë.
Edhe të pini puro duhet të jetë një nga hobet tuaja, apo jo?
Puroja tanimë është bërë pasion (Qesh).