E Diel, 1 Nëntor 2026

Blerina Bombaj:Dietologët janë në modë!

SHKRUAN: Ilda Lumani 23-07-2011 10:38

Dietologjia është një shkencë e cila është zhvilluar me ritme të shpejta në dy dhjetëvjeçarët e fundit për shkak të rritjes serioze të sëmundjeve me origjinë kequshqyerjen. Titulli dietolog në botë fitohet pas një edukimi të lartë akademik për të paktën 4 vjet (si çdo universitet) frekuentim të rregullt. Për të punësuar një dietolog në spitalet shtetërore në shumicën e vendeve europiane kërkohet detyrimisht një diplomë e studimeve 4-vjeçare, ku përfshihet edhe një vit praktike e detyrueshme klinike. Po e njëjta kërkesë qëndron edhe për qendrat private të dobësimit, të cilat nuk mund të ushtrojnë asnjë këshillim dietologjik pa zotëruar një diplomë të tillë të studimeve të larta. Po në vendin tonë, që nuk ekziston asnjë shkollë e lartë dietologjie, çfarë po ndodh me këtë profesion që po bëhet modë? Sa të kualifikuar janë njerëzit që këshillojnë përditë në revista, gazeta dhe televizione popullin se si të ushqehet? Për këtë shqetësim kemi kontaktuar Blerinën, dietologen më në zë, e diplomuar në universitetin Harokopio të Athinës, diploma e së cilës është e ekspozuar në qendrën e saj.

Blerina, Dietologjia në Shqipëri ka qenë një shkencë krejt e panjohur. Përse zgjodhët të studioni këtë degë dhe si ka qenë fillimi i aplikimit të saj në Shqipëri? A gjetët terrenin e duhur që në fillim?

E zgjodha këtë degë pasi në kohën kur unë konkurroja në Athinë për shkollë të lartë, flitej se dietologjia ishte shkolla e së ardhmes! Për vetë faktin që ushqyerja e njerëzimit ka rënë në dorë të biznesit dhe përfitimit ekonomik, shëndeti ynë është më i kërcënuar se kurrë dhe nevoja për të ditur çfarë të zgjedhim në këtë treg bombardues, në mënyrë që të jetojmë më mirë, është më e madhe se kurrë. Kjo është arsyeja që me shumë dëshirë dhe shumë e lumtur zgjodha këtë degë. Gjithsesi, ky profesion është ushtruar prej vitesh në Shqipëri nga mjekë të cilët i ishin përkushtuar vetë kësaj fushe, pasi akoma dhe sot, në lëndët e shkollës së mjekësisë në vendin tonë nuk ekziston asnjë e quajtur “dietologji”. Por as në Athinë, ku unë kam studiuar, nuk ekzistonte një lëndë e tillë në mjekësi, pasi ekzistonte një shkollë e lartë enkas për këtë profesion, ashtu sikurse është për farmacinë, stomatologjinë etj. Mbaj mend, kur jam kthyer në Shqipëri (6 vite më parë), me ëndrrën për të ushtruar këtë profesion kaq të dashur për mua, të gjithë më thoshin “çfarë është kjo?” E kam filluar këtë punë duke hapur një zyrë në Bllok (që kam dhe sot e kësaj dite), dhe me një kuzhinë të vogël, ku mamaja ime zbatonte gatimin e recetave të mia me përpikëri, pasi nuk i besoja asnjë njeriu tjetër. Shumë shpejt, rezultatet e klientëve të parë i joshën dhe të tjerët dhe kështu tek unë besuan ushqimin e përditshëm shumë e shumë klientë. Sot, mund të them se me ndihmën time janë dobësuar qindra qytetarë të Tiranës dhe të rretheve. Ajo që më bën më shumë krenare është besimi që mijëra qytetarë kanë tek unë. Unë mendoj se ky është shpërblimi më i mirë për përkushtimin tim ndaj punës që unë bëj. Ndiej një kënaqësi të veçantë, kur ngado që shkoj më kërkojnë një këshillë, qoftë edhe 1 fjalë!

Kriter i një diete është vetëm kufizimi i ushqimeve? Ku bazoheni në recetat që bëni? Ato janë të njëjta për çdo trup, fizik?

Nëse kriter i një diete do të ishte vetëm kufizimi i ushqimeve, atëherë asnjë nuk do të kishte nevojë për mua dhe gjithkush mund të realizonte një dietë! Recetat që unë bëj i bazoj në udhëzime shkencore, përzgjedhjen dhe interpretimin e të cilave m’i ka mësuar universiteti dhe shkolla që kam bërë. Recetat e mia përmbajnë kombinimet më të ushqyeshme për shëndetin. Kur bëj një recetë mundohem ta përshtas jo vetëm për nevojat fizike dhe shëndetësore të klientit tim, por edhe me psikologjinë dhe mundësitë e tij. Unë fantazoj në recetat e mia, mendoj çfarë do ishte më e pëlqyeshme dhe e lehtë për klientin tim. Natyrisht që për 3 milionë njerëz që jemi nuk ekzistojnë 3 milionë dieta të ndryshme. Por në fund të fundit synimi im është që klientëve të mi t’u ngelet qoftë dhe vetëm një zakon i shëndetshëm nga ato që unë u kam dhënë të zbatojnë.

A është e lehtë të bëhesh dietologe? A mund të bëhet kushdo?

Është po aq e lehtë sa edhe të bëhesh dentist, farmacist, gjeolog, inxhinier, ekonomist etj. Pra me pak fjalë, dietologjia është shkencë dhe kërkon kualifikim minimal prej 4 vitesh arsimimi akademik të lartë. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, sharlatanët ekzistojnë dhe do të ekzistojnë. Nëse shteti nuk ushtron kontrollet e duhura dhe nuk merr masa, natyrisht që gjithkush mund të vetëshpallet çfarë të pëlqejë. Dieta për fatin e tyre të mirë mund të gjenden edhe në internet, edhe në libra, me shumicë madje, dhe me pak paturpësi mund të luash rolin e kompetentit dhe të fitosh para.

A mund të bëjë dieta një mjek?

Një mjek mund të këshillojë dieta, por nuk është punë e mjekut hartimi i një diete. Mjeku mund të kërkojë një dietë dhe mund t’i caktojë dietologut të hartojë një dietë sipas kërkesave të tij, p.sh.: hipokalorike, të ulët në yndyrë, të ulët në kripë, të bluar etj.!

Në Shqipëri, sipas informacioneve që keni, a ka njerëz të specializuar në këtë shkencë?

Deri tani nuk kam ndeshur asnjë me shkollë të lartë dietologjie. Mund të jenë me kurse dyvjeçare, me një master në shkenca ushqimore, por pa diplomën bazë për dietologji, madje ka edhe pa asnjë klasë shkollë dietologjie që ushtrojnë këtë profesion. Dalin edhe në emisione televizive të përditshme, duke mos qenë aspak më të përgatitur se ata të cilëve u drejtohen për t’i këshilluar! Është përgjegjësi e madhe të marrësh guximin të dalësh përpara një kamere ku të shohin të gjithë dhe të thuash gjëra që i di gjithkush, që i mëson përmendësh, duke bërë edhe gafa qesharake. Është njësoj si të tallesh.

Çfarë dëmtimi do të sillte në shëndetin e një njeriu një dietë e keqe?

Natyrisht që ushqimi mirëmban shëndetin ose e dëmton atë. Nuk është çështja vetëm te se sa të dëmshme janë këto dieta, çështja është që këta persona që drejtohen te pseudo-dietologë paguajnë një shërbim të cilin janë të aftë ta bëjnë vetë po aq mirë. Nëse kërkojnë një zgjidhje të problemit të peshës së tyre te një specialist, duhet të sigurohen që ky i fundit është vërtetë një i tillë. Duke mos qenë kompetentë, dieta mund t’ju shkaktojë mangësi serioze, të cilat ju vënë në rrezik shëndetin. Kur një klient merr një copë letër me një dietë të shkruar ai paguan për shkollën që është zbatuar aty, jo për kopjimin nga interneti apo nga një libër apo nga një konkurrent, apo për broçkullat që mund të fantazojë gjithkush, që fare lehtë mund të veshë një bluzë të bardhë! Gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›