E Diel, 1 Nëntor 2026

Blerja e energjisë, qeveria “zbraz arkat”

Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi sot se mungesa e energjisë detyrojnë qeverinë që të japë fonde shtesë, duke blerë në rajon në mënyrë të vazhdueshme këtë produkt.

"Është deklaruar tashmë nga ana e qeverisë që do t ë bëjë të gjitha sakrificat e nevojshme për të mbajtur të pandërprerë furnizimin me energji elektrike të ekonomisë dhe popullatës. Në vijimësi me zhvillimin e situatës hidroenergjetike në vend, do të merren dhe ndërhyrjet e tjera të nevojshme. Pra, në momentin e parë do të jetë një kontigjencë e lënë në dispozicion të qeverisë për tu përdorur në raste të tilla, të emergjencave dhe për të mbajtur stabilitetin financiar të vendit. Që mund të përdoret, do përdoret nga ana e qeverisë", tha Bode.

Mungesa e shirave do ta detyrojnë qeverinë që përveç këtij fondi, të ndërmarrë edhe vendime për fonde të tjera, megjithatë, për dy muajt e ardhshëm, ministri Bode, garanton fonde të sigurta. "Kontigjenca është e mjaftueshme për një furnizim një deri në dy muaj me energji elektrike, me kushtet që kemi aktualisht, ku situata hidrike është e pamjaftueshme. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur do të ketë ndërhyrje në buxhetin e shtetit. Çmimet e energjisë në tregun rajonal janë të rritura, që shënohen në fundin e vitit të kaluar", vijoi Bode. Në buxhetin e vitit 2012 fondi i Kontigjencës për ruajtjen e deficitit është 2 miliardë e 661 milionë lekë. Më tej, Bode u shpreh se mund të ketë edhe një rishikim buxheti për këtë vit për sa i përket blerjes së energjisë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-02-08 13:44
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›