Blic: Dy shtete tërhiqen nga njohja e pavarësisë së Kosovës

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës Petrit Selimi ka reaguar në lidhje me publikimin në disa media serbe se dy shtetet Omani dhe Guinea Bissau janë tërhequr nga njohja e pararësisë së Kosovës.
Selimi i është përgjigjur analistit Tim Judah pasi britaniku i shkruajti në Twitter Ministrisë së Jashtme në lidhje me lajmin për tërheqjen e këtyre dy shteteve nga njohja e pavarësisë së Kosovës.
“Omani asnjëherë nuk e ka bërë njohjen siç është deklararuar në shkurt. Ata na kanë dërguar një letër të ngrohtë duke theksuar se dëshirojnë anëtarësimin tonë në OKB. Ndërsa, Guinea Bissau ka dërguar një letër të qartë verbale të njohjes dhe ka zhvilluar që atëherë kontakte me Kosovën. Jeremiçi po provon të heq fokusin nga largimi i strukturave paralele dhe respektimi i kufijve”, i ka shkruar Selimi Judah-it.
Ndërkohë diplomacia serbe nuk ndalet së punuari kundër Kosovës. Gazeta Blic e Beogradit pretendon se Vuk Jeremiç ka arritur të bindë dy shtete “të tërheqin” njohjet e tyre për pavarësinë e Kosovës. Thuhet se ai ka informacione se shteti aziatik Omani dhe ai afrikan Guinea Bisau kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Gjithashtu, gazeta shkruan se edhe dy shtete të tjera do të tërheqin njohjen dhe se në një vend afrikan po zhvillohen hetime kundër një zyrtari të lartë që besohet të ketë marrë para për të përshpejtuar njohjen e Kosovës.
MPJ në Kosovë njoftoi më 4 shkurt të këtij viti se Omani e kishte njohur pavarësinë e Kosovës duke e çuar në 75 numrin e njohjeve. Deklarata theksonte se Omani nuk e njeh në mënyrë eksplicite shtetet, por vë kontakte diplomatike me to.
Ndërsa njohja e Guinea Bisau kishte ardhur më herët, përkatësisht më 13 janar, dhe atë e kishte bërë publike, kryetari i atëhershëm i AKR-së, Behgjet Pacolli.