Bashkia e Tiranës diskuton sot planin e ri urbanistik
Plani i ri urbanistik për Tiranën do të diskutohet sot në një tryezë mes kryebashkiakut Lulzim Basha me ekspertë të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanizimit.
Mësohet se në procesin e hartimit të planit të ri urbanistik të Tiranës, do të përfshihen shumë ekspertë dhe personalitete të njohura, sidomos ato të universiteteve dhe botës akademike ndërsa procesi i hartimit të planit do të jetë transparent dhe do të mundësojë përfshirjen dhe dëgjimin e zërit të qytetarëve.
Sipas Bashkisë së Tiranës për hartimin e planit të ri urbanistik parimet kryesore që do të merren parasysh gjatë këtij procesi janë; zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, harmonizimi i interesave publike dhe interesave private që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra, harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës, dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës.
Bashkia thekson se plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimn e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshem dhe më atraktiv për banorët e tij dhe plani do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private në mënyrë që të evitojë spekullimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.