E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blindohet veriu, policia e Kosovës në pikat 1 e 31

Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës, të mbështetur nga KFOR-i dhe EULEX-i do të vendosën në dy pikat kufitare me Serbinë 1 dhe 31, të cilat nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, kur u dogjën nga serbët e rebeluar, ishin jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore.

Bëhet e ditur se Policia e Kosovës tani më është vendosur në bazën ushtarake të KFOR-it në Leposaviq dhe nga ora 08.00 do të vendosen në dy pikat kufitare.

Serbët kanë bllokuar sërish rrugët në pjesën veriore të vendit, ndërsa kanë formuar edhe shtabin e krizës, si dhe kanë paralajmëruar tensione dhe përdorim të dhunës, nëse Prishtina merr nën kontroll dy pikat kufitare.

Por kryeministri i vendit, Hashim Thaçi është shprehur i vendosur që plani operacional do të realizohet, ashtu siç është planifikuar.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen ka dhënë mesazh të qartë në Prishtinë se Aleanca Veri-atlantike nuk do të lejojë rrezikimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes së KFOR-it në veri në rast të eskalimit të dhunës.

Në bazat ushtarake të KFOR-it janë vendosur mbishkrime në gjuhën angleze dhe serbe Stop, ose do tu qëllojmë.

Ndryshe gjatë natës që shkoi, në rajonin e Mitrovicës situata ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident./Kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›