Policia bashkiake, te Tajvani, prishet parkingu
TIRANË- Policia Bashkiake e kryeqytetit ka nisur paraditen e sotme një aksion për lirimin e hapësirave publike pranë Tajvanit në qendër të Tiranës. Nga aksioni synohet prishja e rrethimit me pemë dhe gjelbërim, që rrethonte parkingun pranë kësaj qendre. Gjatë aksionit që drejtohej nga vetë kreu i policisë bashkiake, Florenc Hoxha ka pasur konfrontim mes tyre dhe pronarëve të Tajvanit që kanë kundërshtuar aksionin.
Ata nuk kanë lejuar prishjen e pemëve dhe gjelbërimit, ndërkohë që forcat policore me anë të një fadrome kanë vijuar aksionin.
Ne po i kthejmë qytetarëve një hapësirë të gjelbër që në mënyrë të paligjshme ishte zaptuar. Po zbatojmë ligjin, kjo pjesë që kishte përcaktimin për lulishte ëhstë bërë në mënyrë të paligjshme parking- tha Hoxha.
Sipas tij, vetë ndërtimi ka një sërë shkeljesh që po shqyrtohen një nga një.
Ai garantoi se kështu do të veprohet në të gjithë Tiranën. Nesër do të bëjmë aksion pas Pallatit të Kulturës, e cila po njësoj është kthyer në parking- tha ai.
Ndërkohë sa për kundërshtinë e pronarëve të Tajvanit, kreu i bashkiakes deklaroi se do të bëhet kallëzim penale për pengim për shkak të detyrës.