Bllof apo mesazh i koduar?!
Sezoni i ri i emisionit Opinion, i gazetarit Blendi Fevziu, në TV Klan, nuk kishte sesi të mos startonte me një dalje të kryeministrit Berisha, duke e parë këtë dalje, nën optikën e ngjarjeve të fundit që tash dy muaj po shoqërojnë jetën politike të vendit nga publikimi i kabllogrameve nëpërmjet Wikileaks-it. Në morinë e pyetje-përgjigjeve, padyshim që tema kryesore dhe ajo që do niste edhe debatin, do ishte çështja e kabllogrameve. Gjithë këtë periudhë, Berisha i është shmangur përgjigjeve publike në lidhje me ato çka thuhej aty, duke bërë rolin e injoruesit dhe moskokëçarësit, me qëllim që të mos nxiste debate. Edhe media pro tij, bënte një seleksionim të pastër të kabllogrameve, ku anashkalohej çdo përmendje e emrit të Berishës, familjarëve të tij dhe ministrave apo zyrtarëve të tjerë që ishin të përfshirë në çështje të nxehta, për të cilat, opinioni publik që i ndjek apo lexon, duhet të informohet sa më pak të jetë e mundur. Berisha nxori vetëm ministrin Olldashi për të hedhur në publik një nga broçkullat e rradhës që ai shpesh bën, me qëllim që të maste pulsin e reagimit të publikut si dhe të opinionistëve apo komentatorëve të shtypit.
Situata e solli që në një nga kabllogramet që ish ambasadori Uidhers i transmetonte Departamentit të Shtetit, përmendej edhe emri i djalit të kryeministrit si i përfshirë në ngjarjen tragjike të Gërdecit. Aty citohet ish Shefi i Shtabit të Ushtrisë, që ti ketë thënë ambasadorit se, është kërcënuar nga djali i kryeministrit për të mos nxjerrë emrin e tij përpara organeve të drejtësisë. Pasi priti një javë nga publikimi i kabllogramit, gjenerali doli në media nëpërmjet një letre të ndikuar nga të tjerët, që të përgënjeshtronte atë çka ambasadori Uidhers kishte shkruar rreth takimit të përbashkët konfidencial që kishin patur. Ai pranonte që kishte patur takim, por jo që të kishte përmendur emrin e Shkëlzen Berishës.
Deklarata përgënjeshtruese u bë paraditen e ditës së enjte dhe në mbrëmje u njoftua se kryeministri do dilte tek emisioni i Fevziut. Një lidhje perfekte e gjërave, me qëllim, parapritën e një pyetje të pashmangshme dhe një përgjigjeje që donte medoemos alibinë brenda.
Nuk dihet nëse përgënjeshtrimi u bë në funksion të emisionit apo emisioni u bë në funksion të përgënjeshtrimit, por sido që ta kapësh, përsëri del se të dyja ndërthuren shumë bukur për të kompletuar njëra-tjetrën. Skenaristi dhe regjisori i kësaj skeme duhen përgëzuar me këtë rast, sepse ndihmuan veçanërisht kryeministrin, për të dalë për momentin nga një situatë e vështirë përballë publikut. Sigurisht, për ata që e besojnë verbërisht për ato çka ai thotë.
Dhe në vijim të kësaj skeme, Berisha vijoi në përgjigjen e tij përballë Fevziut (i cili duhet thënë se nuk ishte aq agresiv dhe këmbëngulës dhe duhet besuar se edhe kjo ishte pjesë e skemës) duke dhënë një përgjigje, në dukje qesharake : Unë (Berisha) kam ndaluar tim bir që të hapë çështje gjyqësore ndaj Wikileaks-it. Që do të thotë se Shkëlzeni, pas përgënjeshtrimit që gjeneral Hoxha, tashmë rezervist, i bëri citimit në kabllogram, do padiste në gjykatë (nuk e tha se ku, në Shqipëri apo jashtë shtetit) organizatën Wkileaks dhe presidentin e saj, Julian Assange.
Lind pyetja: Çpërfitim do kishte që Shkëlzeni të padiste Wikileaks-in? Ajo, thjesht po hedh në web-in e saj gjithshka ka mundur të marrë nga serverat e DASH-it. Ato kabllograme janë autentike dhe kjo provohet nga fakti që edhe vet Departamenti i Shtetit, duke qenë poseduesi i tyre, në asnjë rast nuk ka folur për manipulim të tyre. As ambasada amerikane në Tiranë nuk ka përgënjeshtruar ato që ka publikuar Wikileaks. Pra, konfliktin Shkëlzeni nuk mund ta ketë me Wikileaks-in, me të cilin do e kishte gjyqin të humbur në aspektin e vërtetësisë së kabllogrameve. Padyshim që objekti i padisë (i mbetur në tentativë) nuk kishte të bënte thjesht me anën teknike të publikimit të tyre, sepse ato jo vetëm që nuk i ndaloi dot as Departamenti i Shtetit (që hapi edhe çështje penale në ngarkim të Assange), por mbi të gjitha, kjo do provonte që përmbajtja e tyre është e vërtetë.
Mos vallë Shkëlzeni shpresonte që nga padia ndaj Wikileaks-it të arrinte të provonte që z.Uidhers ka gënjyer? Por, kjo do të thotë që ai të padiste ambasadorin, duke marrë si bazë përgënjeshtrimin nga gjeneral Hoxha, i cili dilte i larë nga kjo histori. Berisha e di që z.Uidhers nuk ka gënjyer dhe pikërisht nxorri Olldashin, për një çështje që lidhej me atë, për të bërë lojë fjalësh, me qëllim çoroditjen e publikut. Në prononcimin e tij, Olldashi tha se, Nuk mund të them nëse ka gënjyer ambasadori Uithers për sa kohë që nuk di nëse kjo është një shkresë ose jo e zotit Uithers. Kjo është një shkresë që del nga Wikileaks. E provoni dot që është shkresë e zotit Uithers? Nëse e provoni, atëherë hajdeni më pyesni dhe unë do ju përgjigjem (më lart e theksova se përse ajo shkresë është e vërtetë, pikërisht se edhe vet DASH-i nuk ka thënë të kundërtën). Por, Berisha e di shumë mirë se çdo të thotë ti hysh një aventure të rrezikshme në përballje me diplomatët amerikanë, me akuza të tilla si gënjeshtra. Ai është i ndërgjegjshëm se kjo do sillte një angazhim maksimal të zyrtarëve amerikanë për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e të dërguarit të tyre, deri në atë shkallë që jo vetëm të provonin vërtetësinë e asaj që gjeneral Hoxha po mundohet ta fshehë tani, por të nxirrnin në publik (ashtu siç amerikanët dinë shumë mirë ta bëjnë) edhe materiale shumë më tepër kompromentuese për qeveritarët tanë.
Dihet që diplomacia amerikane është tejet serioze, sidomos kur bëhet fjalë në citimin e personave që kanë patur kontakt të drejtpërdrejtë me diplomatët e saj kudo në botë. Një diplomat, mund të ketë informacion të gabuar nga dikush për të cilat bën edhe verifikime nga burime të tjera, por nuk mund të konceptohet absolutisht që ai të keqinterpretojë, e për më tepër, të shtojë fraza fjalësh nga bisedat konfidenciale, aq më tepër kur personi bashkëbisedues është i një rangu të lartë shtetëror dhe emri që ai përmend është pjesëtar i familjes së kryeministrit.
Kështu që deklarata e Berishës se, ka ndaluar të birin për të hapur një çështje gjyqësore, më e pakta ishte një bllof, si pjesë e skemës së emisionit, për ti hedhur hi syve publikut. Sepse, nuk do doja që të shkoja larg në mendime dhe të besoja se Berisha ka dashur të transmetonte nëpërmjet televizorit një Mesazh të Koduar për gjeneral Hoxhën dhe të tjerët, fjalëkalimin e të cilit, mundet që ta dinë të gjithë ata që kanë dijeni rreth përfshirjes së djalit të kryeministrit në ngjarjen e Gërdecit…
