Gjenerali Buhler, shembull i një lidershipi të suksesshëm
Në kohën kur në Kosovë ka filluar të kontestohet roli dhe suksesi i misioneve të ndryshme ndërkombëtare, tanimë në largim, por edhe i atyre akoma prezente në Kosovë, KFOR-i vazhdon të mbetet një ndër misionet më të respektuara nga populli i Kosovës, si garantues i sigurisë në vend. Jo rrallë, suksesi i një misioni, institucioni, organizate apo shteti identifikohet me personalitetin e liderit të saj, prandaj edhe në rastin e KFOR-it në Kosovë, pa e mohuar në asnjë moment rolin dhe kontributin e të gjithë pjesëtarëve të KFOR-it, roli i gjeneralmajorit Erhard Buhler është i pakontestueshëm. Përveç detyrave ushtarake, KFOR-i ka treguar edhe aftësitë e tij humanitare, duke i qëndruar pranë popullit të Kosovës dhe duke iu ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë qytetarëve të saj. KFOR gjatë tërë këtyre viteve të shërbimit të tij ka dëshmuar se është një forcë ushtarake që garanton sigurinë në Kosovë, dhe që di të përballet me kriza dhe të qëndrojë fleksibël ndaj situatave dhe sfidave në funksion të stabilitetit të vendit. Sot, 12 vjet pas lufte, KFOR-i me kontributin e tij gjithëpërfshirës ka dëshmuar të jetë një histori suksesi. Pa dyshim se një ndër figurat më emblematike dhe kontribues i këtij suksesi në Kosovë është edhe gjenerali në largim i KFOR-it, Erhard Buhler. Gjeneral Buhler e mori detyrën si komandant i KFOR-it në korrik të vitit të kaluar, në kohën kur KFOR-i ballafaqohej me reduktimin e numrit të ushtarëve, si rezultat i arritjes së një niveli më të lartë të sigurisë dhe në kohën kur institucionet e Republikës së Kosovës gradualisht po i merrnin përgjegjësitë në fushën e sigurisë.
Ndër sfidat kryesore të gjeneralit Buhler tani në prag të përfundimit të misionit të tij si komandant i KFOR-it pa dyshim ka qenë situata në veriun e Kosovës pas intervenimit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës me qëllim që të zbatohej vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zbatuar masat e reciprocitetit ndaj Republikës së Serbisë, situatë kjo e cila kërkonte involvimin e KFOR-it në mënyrë që të parandalohej eskalimi i situatës. Përfundimin e misionit të tij me sukses në Kosovë pa dyshim se e vërteton përvoja e tij ushtarake, karakteri i tij i sinqertë, afërsia me popullin e Kosovës, qëndrimet e tij të drejta dhe parimore, përpjekjet e tij për promovimin e tolerancës nacionale e fetare, përkushtimi i madh për ruajtjen e sigurisë dhe garantimi i lëvizjes së lirë në të gjithë territorin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, këto më së miri gjejnë shprehje në natën e 26 dhe 27 korrikut, atëherë kur gjenerali Buhler deklaron se “ne kemi forcë të mjaftueshme për të hapur rrugët dhe eliminuar barrikadat, por për hir të jetës së grave dhe fëmijëve” të cilët përdoreshin nga ekstremistët dhe kriminelët serbë në veri të Kosovës për qëllimet e tyre të errëta, do t’u jepte rast negociatave.
Tanimë, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të zbatuar masat e reciprocitetit zbatohet në tërësi duke e përfshirë edhe veriun e Kosovës, gjeneral Buhler është një ndër mbështetësit e mëdhenj të Kosovës, institucioneve dhe popullit të saj, ai gjithmonë ka shprehur besimin në ngritjen dhe ndërtimin sa më të suksesshëm të FSK-së, në rrugën e saj drejt përmbushjes së kapaciteteve të plota operacionale, ngritjes profesionale dhe përmirësimit të imazhit të saj në rajon dhe më gjerë. Buhler gjithmonë është shprehur i bindur për të ardhmen e suksesshme të kësaj force në Kosovë, ashtu edhe siç u shpreh në konferencën e fundit për shtyp se “FSK në dhjetor të këtij viti do të ishte komplet operacionale”, kjo edhe mund të kualifikohet si një ndër arritjet më të mëdha në funksion të ngritjes së kapaciteteve institucionale të sigurisë, pra Kosova më në fund do të kishte armatën e saj të gatshme për t’u përballur me sfidat e sigurisë në Kosovë dhe po ashtu e gatshme për misione ndërkombëtare dhe në rrugën e saj për t’u bërë anëtare e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.
E çka është më e rëndësishmja, të ndihmojë shumë në zhvillimin e FSK-së, përkatësisht në përgatitjen e saj që më në fund të marrë përgjegjësitë e saj si mision historik i kësaj organizate, ruajtjen dhe garantimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës. Edhe pse gjithmonë i rezervuar në qëndrimet e tij lidhur me statusin e Kosovës, që sipas tij ishte gjithmonë çështje politike, ai ka qenë i vendosur sa i përket ruajtjes së tërësisë territoriale të saj, duke thënë se Kosova është unike dhe e pandashme. Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Buhler, gjithashtu ka vlerësuar se lufta e ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë përpjekje për të shmangur krimin dhe për të parandaluar dëbimin e popullit shqiptar nga Kosova, kualifikimi më i drejtë dhe më normal për sa i përket historisë së re të Kosovës. Komandanti Buhler do të mbetet një nga personalitetet më të dalluara në Kosovë dhe gjithashtu një mik i madh për popullin e Kosovës. Ai ka arritur që gjatë misionit të tij të rrisë rëndësinë e KFOR-it në Kosovë, sigurinë e këtij vendi dhe të fitojë respektin e qytetarëve të saj.