Kau dhe balashi i bashkisë
Dy gra nëpunëse të drejtorisë së tatim-taksave në Bashkinë e Tiranës u dhunuan pardje fizikisht në zyrën e tyre të punës. U poshtëruan, u goditën, u hoqën zvarrë, për shkak se ishin persona të padëshirueshëm atje. Pa hyrë në detajet e kësaj ndodhie të pazakontë, përshtypja e parë që sjell dhuna mashkullore ndaj femrës, është dëshpëruese. Duart e egërsuara të një burri mbi një trup femëror, që mbrojtje të vetme ka brishtësinë, janë një shfaqje e shëmtuar ndodhie, që bie ndesh me kodet shqiptare të trashëgimisë. Të dhunosh një grua, një nënë, një zyrtare, sepse je një mashkull, një titullar, një bandit, një pushtetar, pra të abuzosh forcën tënde fizike dhe ligjin të cilin duhet ta zbatosh ndershmërisht, të shpërdorosh kësisoj natyrën, ligjet e saj të krijimit, është diçka që krijon një kundërshti instiktive në çdo mëndje normale. Është një turp gjenetik, është pabesi..Dhunuesi nuk është ndonjë kriminel, as ndonjë endacak, as ndonjë i lajthitur, që nuk dallon të mirën nga e keqja: Dhunuesi është vetë Drejtori i policisë bashkiake të kryeqytetit; në detyrë zyrtare për ti mbrojtur konkretisht, ka ushtruar pikërisht ai dhunë fizike mbi këto dy zonja të nderuara, që janë qytetare dhe nënpunëse të këtij vendi.
Kjo burracakëri nuk u komentua seriozisht në shtypin shqiptar. Për një hipokrizi bastarde, disa media nxituan të pastronin mëkatin e anësisë, duke botuar dy opsionet, njërin opsion qesharak, ku dhunuesi dhe agresivet ishin gratë, kurse viktima,i gjymtuari, fatkeqi, ishte drejtori i policisë bashkiake, që një zot e di çpunë kish në zyrën e tatim taksave ku punonin zonjat, dhe opsioni tjetër, e kundërta, sulmi ish bërë nga drejtori i policisë bashkiake, kundër grave në detyrë. Mbase për disa kjo ishte një ngjarje rutinë: Ato çafkat e PS, që kanë bërë pallë kaq vjet me Edi Ramën në Bashki, dashkan të rrinë akoma? Iku koha e tyre bashkë me Edi Ramën. Tani është koha e Bashës dhe balashëve të tij. Për të tjerë, ndodhia mbase nuk kish interes: Këto dihen. Sjanë të parat që hiqen nga puna, në Bashkinë e Lulit. As të fundit.
Ndërkohë, disa artikujshkrues, të cilët nuk lenë thashethem pa trazuar, heshtën, u mjaftuan dhe u ngushëlluan me faktin se grushtat në stomak, së paku, nuk i hëngrën as gratë e tyre, as nënat dhe as motrat e tyre. I vdekuri në shtëpinë e botës duket sikur fle!.. Larg zjarrit dhe larg varrit. Aforizmat u gjallëruan në kujtesat e atyre që nuk thanë e shkruan por mund të thonin e shkruanin diçka, për poshtërimin e bërë publikisht.. Nuk pati reagime, as nga organizata civile, as nga parti politike, as nga grupi I 101 lëvizjeve, rinore, prindërore, që varen pas dyerve të ambasadave për të marrë fonde që do ti shkrijnë për të drejtat e njeriut, as nga shoqatat, hiç. Pati vetëm një reagim nga grupi opozitar i këshillit bashkiak, dhe kaq. Të dhunohen dy gra, nga një titullar shteti, të hiqen zvarrë,të shkulen nga zyrat e tyre të punës, ku kanë harxhuar veten, ndjeshmërinë, autoritetin që kanë, dhe të ketë një heshtje të tillë nga masa, nga publiku, nga media, nga politika, kjo i shqyen kufijtë e absurditetit. Më shumë se turp kombëtar, kjo gjë është një dhunë dhe një dhimbje për të gjithë. Dhunë psikologjike për një komunitet të paaftë të reagojë ndaj ngjarjeve kaq të shëmtuara, perverse, çburrërore; dhunë psikologjike për një komunitet të paaftë të interferojë me ligjet e hershme të natyrës, që thonë se askund, asnjëherë, femra nuk preket!
***
Në të vërtetë, shqetësimi që pushteti i ri i Bashkisë, ka po atë harbutëri që ka patur e do ketë deri në regëtimën e fundit edhe pushteti qëndror, nuk ka të bëjë thjesht vetëm me dhunën ndaj grave. Nuk ka të bëjë thjesht me faktin se një burrë, drejtor tatimesh në Bashki, që quhet Kau, i kërkoi një burri tjetër, Balashit, që është drejtor i policisë bashkiake, të ngrejë dorë mbi dy gra. As vetëm me faktin tjetër se ky balashi është një tip fodull, sepse është një gjallesë në pushtet, me pushtet të vjedhur, dhe prandaj nuk ka normë dinjiteti ta ndalojë që të abuzojë me këto zonja kafshërisht, pra, shqetësimi nuk ka të bëjë vetëm me faktin se ky drejtori i ri e i fortë i policisë së Bashkisë është trim i madh e harbut, që gjuan me grushta një femër dhe bën denoncim si viktimë e sulmuar dhe dhunuar nga gratë, por me një fenomen social, edhe më të pështirë.
Cgjë është më e pështirë në këtë histori, përtej dhunës? Të paralajmëruara për pushim nga puna, zonjave nënpunëse ju kërkua të largohen nga vendi i punës, dhe kur këto rrefuzuan, për shkak se ishin në pritje të mbylljes së procedurave të largimit, drejtori i policisë bashkiake tentoi ti nxirrte me forcë, duke shkumëzuar egoizmin e tij primitiv mbi fytyrat e tyre. Këto dy zonja të dhunuara,, që kanë punuar dhe janë vlerësuar pozitivisht nga vetë Bashkia për punën e tyre, nuk janë të vetmet që hidhen në rrugë. Nga zyra e tatim taksave janë shkulur 51 shpirtra njerëzorë, mbas shumë vite pune në këtë institucion, për tu hedhur pamëshirë në barikadën e vështirë të luftës për ekzistencë. Nga gjithë Bashkia e Tiranës, janë me qindra ata që i janë rikthyer çështjes së hershme të sigurimit të bukës së gojës, për shkak se kryebashkiaku ka firmosur pushimin kolektiv nga puna të tyre. Midis mashtrimeve të fushatës elektorale,premtimi i Lulëzim Bashës se nuk do të cënojë administratën, është më i hidhuri, më cnjerëzori, ndërsa është duke luajtur me djersën e ndershme të prindërve, që shkojnë në punë jo për tu pasuruar por për të ushqyer fëmijët. Duke interferuar me mallkimin e qeverisë qëndrore të Sali Berishës, që spastroi njëlloj administratën shtetërore nga nënpunësat socialistë, kur erdhi në pushtet, fshesa Basha, e pamëshirshme në llojin e vet, e ka sfiduar edhe fshesën e dikurshme të eprorit të tij, dhe fshesën famëkeqe të qeverisë greke për emigrantët shqiptarë, në kohën e konservatorit Micotaq. Fshesat, si dinamika poshtëruese të shoqërisë shqiptare, kanë hyrë në rrutinën e jetës së tyre si simbole të pasigurisë së jetës. Militantizmi dhe klientelizmi, janë dy vecori specifike të sundimit berishjan, që sapo ka vorbulluar institucionin e Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk është më modeli europian i eficencës demokratike që ishte deri ne diten kur, për një ndjellje të kobshme, një dash u ther në themelet e saj, ditën e betimit të kryebashkiakut të ri. Bashkia e Tiranës është ministria e re e vrazhde e qeverisë.
