E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokadën ndaj Evropës do ta zgjidhin vetë shqiptarët

18-10-2011 / Gazeta 55

Kreu i mazhorancës kujton përgjegjësinë e opozitës për të mos u bashkuar në aspiratën për përmbushjen e reformave që kërkon Brukseli. Kryeministri Berisha numëron reformën zgjedhore dhe atë të rregullores parlamentare, si piketat e dialogut të ri politik, duke kujtuar se mungesa e vullnetit politik do të sjellë si zgjidhje finale vetëm verdiktin e 2013-s


Kryeministri Sali Berisha përsëriti dje se mazhoranca është e gatshme të ulet në tryezë me opozitën, për të diskutuar për reformën zgjedhore. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha tha se shumica parlamentare i qëndron plotësisht propozimit të mëparshëm për të bashkëpunuar në mënyrë që reforma zgjedhore të miratohet në kohë rekord. “Unë e kam shprehur dhe ju e keni bërë një diskutim për të në Parlament, që pas shpalljes, ajo çka unë mund t’ju them ju edhe njëherë, që ne jemi të gatshëm, të vendosur, të shohim para, të ulemi me opozitën, të trajtojmë në mënyrën më serioze problemet e reformave, në radhë të parë të reformës zgjedhore. Unë dua t’ju informoj ju dhe shqiptarët, se ne i qëndrojmë plotësisht propozimit tonë të mëparshëm, se në rast se opozita kërkon dhe dëshiron, që me ekspertët e saj të hartojë të gjitha amendamentet për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias dhe në OSBE/ODIHR, pasi të marrë opinionin e tyre, ne i votojmë pa kushte. As nuk kam lëvizur dhe as nuk lëviz nga ky pozicion. Ne i votojmë pa kushte, sepse ne kemi bindje se ajo që vjen nga këto institucione është brenda standardeve ndërkombëtare. Për ne, kjo është më kryesorja. Në rast se zoti Rama, kërkon ngritjen e tryezës, dhe ne i  kemi dhënë përgjigje me shkrim për kërkesat e tij,  ne jemi të gatshëm të ngremë tryezën, në prani të ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it. Jemi të gatshëm të punojmë me konsensus të plotë, çka do të thotë me të drejtë vetoje, që jemi gjithëpërfshirës dhe të finalizojmë në një kohë rekord reformën zgjedhore” - u shpreh Berisha. Kryemininistri ftoi lidershipin socialist të ulet në tryezë nëse do reformat e vendit, por pa kushte.“Unë ftoj zotin Rama në rast se dëshiron reforma, të ulemi në kushte pariteti, reformën zgjedhore, ku institucionet e vendit ato duhet të ndërtohen sipas kushtetutës” - theksoi Berisha. Por ai konstatoi se Edi Rama është kundër kësaj fryme bashkëpunimi, ndërsa po tenton të bllokojë tryezën e reformës zgjedhore, ndërsa nga ana tjetër ka propozuar një skemë primitive. “Por zoti Rama nuk do. Deri tani ai është i vendosur të mos angazhohet në reformë, sepse ai propozon një skemë primitive, në kuptimin e vërtetë të fjalës, pse e them këtë, e them këtë sepse propozon që të ulemi në tryezë, të vendosim të punojmë me konsensus , por ai të shkoje të bëjë shopin në institucionet  e tjera, pavarësisht se këtu janë përfaqësuesit e tyre, kjo nuk shkon. Asnjëri nuk mund të ulet në një tryezë të tillë, po deshe vetëm shko bëje, ne i votojmë ato. Pse e bën ai këtë propozim? E bën këtë propozim, sepse ka të ngjarë se vetëm reforma zgjedhore atij nuk i intereson. Po kjo është për rregulloren e Parlamentit, unë mendoj se grupi ynë të propozojë, dy përfaqësues të tij nga delegacioni që kemi në Parlamentin Evropian, për të nisur punën, sapo zoti Rama të delegojë të tijët, të nisë diskutimi për rregulloren  e Parlamentit, e cila duhet të ndryshojë si të gjitha standardet e rregullores së  Parlamentit Evropian. Kemi rënë dakord thotë ai. Por sa kam rënë dakord unë në vitin 96, 97, 98, kur kam qenë në opozitë, por shihet para, gjithçka vendoset duke parë përpara, duke përmirësuar” - tha kryeministri. Berisha iu referua progres – raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke sjellë në vëmendje se bojkoti i Kuvendit nga Partia Socialiste, e arriti qëllimin e tij, me bllokimin e statusit të vendit kandidat në BE. “Dua tu them qytetarëve se, pavarësisht nga këto oferta, zoti Rama e shprehu se bojkoti, realizoi qëllimin. Qëllimi i tij ishte dhe është bllokimi i statusit. Fakti që të gjitha vendet e morën përveç Shqipërisë, të cilës i bllokohet për herë të dytë, sepse ata janë fatlumë se nuk kanë një opozitë, që ka përzgjedhur bllokimin e disa reformave të integrimit si rrugën për kthimin  e vet në pushtet, ka përzgjedhur dëmtimin e interesit të çdo qytetari, siç e bëri qartë edhe me vizat, për të ardhur në pushtet më shpejt, çka jam i bindur se kjo ishte një përzgjedhje e gabuar. Nuk ndodh ndonjëherë, që një opozitë te ketë si objektiv kryesor mos votimin e ligjeve të reformave të integrimit. Ky është rasti i veçantë. Ndaj dhe duke bërë ofertën tonë, ne ju themi qytetarëve shqiptarë, se kjo është një çështje që do ta zgjidhin vetë shqiptarët” - tha kryeministri. Berisha vuri në dukje se komuniteti ndërkombëtar ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshme për zgjidhjen e situatës, ku ka patur dhe takime për të ndihmuar Shqipërinë si dhe ka pasur takime enkas dhe vetëm për të ndihmuar zotin Rama, por rezultati i tyre ishte jo ai për atë që ndërkombëtarët punonin. “Komuniteti ndërkombëtarë ka bërë përpjekjet më të jashtëzakonshmet dhe dua t’ju them këtu, se në këto përpjekjeje ka pasur të atilla, që janë përpjekur me çdo kusht për të ndihmuar Shqipërinë. Ka pasur të tjera që absolutisht janë përpjekur për të ndihmuar vetëm zotin Rama dhe aspak Shqipërinë, sepse jo të gjithë e duan këtë vend. Kjo nuk ndodh. Por cili ka qenë rezultati? Rezultati i këtyre miqve të shumtë që deshën të ndihmonin Shqipërinë, për fat të keq ishte ai për të cilin punuan, sepse zoti Rama, nuk pranoi asnjë nga sugjerimet, kurse rezultati për ata të cilët u angazhuan me të gjitha mënyrat për të ndihmuar zotin Rama, është thellësisht dëshpërues, sepse në fakt në rrafsh partiak ndihmuan Sali Berishën dhe partinë e tij. Po pse? Se zoti Rama ndenji dy vjet duke shqipëruar dy milion herë thirrjen hap kutitë. Çfarë solli kjo, çfarë ndodhi? E vetmja gjë që ndodhi dhe që nuk mund ta mohojë kush, që Partia Socialiste u fut në kuti, këtë e them në mënyrë figurative, sepse ajo harroi të përmbushë misionin  e vet, të opozitës, të kritikës, të kontrollit, të vëzhgimit të qeverisjes, ajo u mor me katër faqet e kutisë, një kuti që nuk u hap kurrë. Në këtë kënd e dëmtuan zotin Rama thellësisht ata që u përpoqën ta ndihmojnë atë, në mënyrë të pandershme, sepse e inkurajuan në një mënyrë ose në një tjetër të mbajë atë kurs që mbajti, i cili kushtoi 141 mijë vota më pak në zgjedhjet e 8 majit dhe disfatën personale në kryeqytetin e vendit”- tha më tej Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›