E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokimi i Serbisë për prodhim të Kosovës

ALBIN KURTI

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në tri vitet e fundit çmimet e ushqimit në botë, në përgjithësi, janë ngritur 61%. Nga ana tjetër, qytetarët e Kosovës i shpenzojnë rreth 70% të të ardhurave të tyre mujore për ushqim. Shënimi i parë tregon që kriza financiare globale doemos ka pasur edhe pasoja sociale në rritje. Çmimet e larta të prodhimeve ushqimore kanë bërë që miliona njerëz të shtresës së mesme të bien në shtresën e varfër, ndërkaq edhe më shumë se aq që i përkisnin shtresës së varfër të hyjnë në varfëri të thellë, ku ushqimi i pamjaftueshëm dhe uria kronike rrënojnë shëndetin e popullsisë dhe shkaktojnë vdekje të parakohshme.  Ndërkaq, fakti i dytë që thotë se qytetarët e Kosovës, marrë në tërësi dhe mesatarisht, harxhojnë 70% të parave të tyre për ushqim, nuk tregon që ata ushqehen mirë apo që blejnë prodhime ushqimore të shtrenjta. Përkundrazi, kjo na rrëfen për jetën e qytetarëve të Kosovës, që është kryesisht mbijetesë: pasi i shpenzojnë paratë për ushqime elementare, atyre nuk u mbetet as një e treta e të ardhurave për gjëra të tjera. Kësisoj, jemi në rang më të ulët sesa qytetarët perëndimorë, shumica dërrmuese e të cilëve, përkundër krizës, vazhdojnë të harxhojnë më së shumti para për transport e banim, më parë se për ushqim.
Sido që të jetë, në këtë krizë që sa vjen e thellohet jo vetëm te ne, më së miri po gjenden vendet që prodhojnë, pra vendet që krijojnë vlerë të shtuar përmes prodhimit vendas në kontrast nga profiti që sigurohej prej degëve të tjera të ekonomisë, siç janë shërbimet apo financat. Prodhimi vetjak po dëshmohet si kyç në tejkalimin e suksesshëm të kësaj krize që nisi në shtator të vitit 2008, e së cilës duket se tash për tash ia kemi parë vetëm fillimin. Njëkohësisht, prodhimi vendas është shumë më i përshtatshëm edhe përsa i përket zvogëlimit të ndotjes së ambientit për shkak se një pjesë e konsiderueshme e ndotjes vjen pikërisht prej transportit të madh që është karakteristik për importin e mallrave nga vendet e huaja.
Shtetet me qeveri të mençura dhe të ndershme po i forcojnë prodhuesit e tyre vendorë sepse forcimi i tyre mandej po përkthehet në forcim të shtetit. Investimi në prodhues të vendit po vërtetohet si i leverdishëm. Edhe te ne, prodhuesi i fuqishëm i Kosovës do ta forconte shtetin e Kosovës. Mirëpo këtë gjë duket se nuk e do qeveria e Kosovës. Sepse ajo e ushtron pushtetin e vet në llogari të shtetit të Kosovës. Ky pushtet do shtet të dobët që të jetë vetë i fortë. I këtillë është modeli qeverisës në Kosovë; e këtillë është mynxyra që e ka pllakosur popullin e Kosovës.
Varësinë e dikurshme politike e institucionale të Kosovës nga Serbia, kjo qeveri po na e mirëmban si varësi ekonomike dhe tregtare të Kosovës nga Serbia. E, varësia ekonomike e tregtare, herët a vonë, bëhet (sërish) varësi politike.
Qeverisë së Kosovës më kollaj i vjen që ta mbushë buxhetin e Kosovës në kufi, pra nga doganat që taksojnë importin. Më shumë se 12 vjet pas përfundimit të luftës, edhe më tutje treçereku i buxhetit të Kosovës realizohet nëpër kufijtë e vendit. Arka e shtetit mbushet në kufijtë e shtetit. Kjo qeveri përton ndryshe, nuk di ndryshe apo ska interes ndryshe?
Të tria këto, por ama në kohë të ndryshme. Mbase në fillim, para një dekade, as që kanë ditur ndryshe, më pastaj kanë përtuar që të ndryshojnë mënyrën me të cilën u familjarizuan së tepërmi, dhe në fund, as kanë pasur interes që të veprojnë ndryshe për shkak se tashmë po përfitonin aq shumë për veten e tyre pikërisht me këtë mënyrë.
Pika e dytë e vendimit të 7 dhjetorit të vitit 2011 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e që tash njihet si vendimi për reciprocitet të plotë me Serbinë, thotë që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet ta nxisë dhe udhëheqë bashkëpunimin me prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen e zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia. Asgjë, ama, bash asgjë sështë bërë gjer më sot në këtë drejtim. Mbase edhe ska mundur të jetë ndryshe: kjo ministri qysh në emërtimin e saj së pari e vendos tregtinë e pastaj industrinë. E, kur i jepet përparësi tregtisë, smbetet më fort vend për industrinë, apo jo?
Makthi i prodhuesve vendas në Kosovë vazhdon të jetë Serbia. Sidomos tani që u provua dobia e reciprocitetit tregtar me Serbinë prej 26 korrikut e deri më 15 shtator 2011. Pasha ato 50 ditë në gjithë këto 12 vjet, shprehen prodhuesit vendës në Kosovë. Sot, mielli, qumështi, uji, ëmbëlsirat, detergjentet, barnat e tullat vijnë në sasi enorme nga Serbia. Prodhuesit bujqësorë, zejtarë e industrialë të Kosovës po bëhen të pashpresë.
Serbia i subvencionon prodhuesit e saj që duke vërshuar Kosovën me mallrat e tyre e uzurpojnë tregun e Kosovës. Mbi 7 miliardë euro ka vjelë ajo nga qytetarët e Kosovës, të shndërruar në konsumatorë të Serbisë. Në anën tjetër, Serbia nuk njeh asnjë dokument të prodhuesve të Kosovës, që do të dëshironin ta përdorin Serbinë si treg ose si vend tranzit për eksportet e tyre.
Përveç masakrave të shumta që lanë mbi 12 000 civilë të vrarë gjatë luftës, Serbia ka rrënuar, dëmtuar ose djegur 120 000 shtëpi të shqiptarëve në Kosovë, ka vrarë 60% të bagëtive dhe i ka djegur ose plaçkitur shumicën e traktorëve që posedonin bujqit shqiptarë. Pra ajo ka synuar të eliminojë jo vetëm mundësitë banuese jetësore të shqiptarëve të Kosovës, por edhe potencialin e tyre prodhues zhvillimor. Serbia që dikur na deshi si tokë të djegur, sot na përdor si konsumatorë të tregut të saj.
Qeveria e Kosovës i rri asaj gatitu: atëherë kur Serbisë ia hap kufirin sërish, atëherë kur Serbisë ia toleron strukturat ilegale sërish, atëherë kur Serbisë i shkon në bisedime sërish.
Prodhuesit e Kosovës janë kryesisht prodhues të mallrave ushqimore. Kosova është një vend që shpenzon më së shumti në ushqim mu pse është kaq e varfër. Jetojmë në një botë të cilën kriza e pandalshme po e bën përherë e më të varfër. Bllokimi i mallrave të Serbisë në kufi, si një ndër aspektet e reciprocitetit me Serbinë, përveçse parimor e i drejtë është gjithsesi edhe i dobishëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›