Sëlltik-Rejnxhers, derb skocez për të marrë Salihin

Hamdi Salihi
Ish-lojtari i Sëlltikut, Rudi Vata, “ka sponsorizuar” një lëvizje të bashkëpatriotit të tij, Hamdi Salihi, drejt skuadrës skoceze, ku ai ka luajtur në vitet ’94-’95. Por, sipas mediave të këtij vendi, në garë për lojtarin ka hyrë edhe Rejnxhers. Në këtë kontekst, Salihi është kthyer në një shënjestër nga dy klubet më të mëdha në Skoci, të cilat njihen për rivalitetin e tejskajshëm jo vetëm në fushën e lojës. Sëlltiku ka ofruar deri tani 500 mijë euro, por rejnxhersat janë futur dje në garë, duke bërë sipas mediave 100 mijë euro më shumë. Pra, të njëjtën shifër Rapidi pagoi në 2009-n te Riedi për të blerë kartonin e sulmuesit shqiptar. Meqenëse në fund të qershorit Salihit i skadon kontrata dhe nuk ka pranuar ta rinovojë, austriakët po bëjnë të pamundurën që ta shesin edhe me të njëjtin çmim që e kanë blerë me qëllim që të mos rrezikojnë të dalin duarbosh në fund të sezonit, nëse lojtari nuk largohet gjatë merkatos së janarit. Nga ana tjetër, lojtari i vetëm shqiptar që ka luajtur me Sëlltikun, tekniku aktual i Vllaznisë, Rudi Vata, shtyn Salihin drejt bardhjeshilëve të Neil Lenon, duke pohuar se ai është lojtari perfekt që i duhet skuadrës. “Salihi ka kualitetet dhe nuhatje për golin. Mund ta krahasoj pa frikë me Gerd Mylerin, pasi bën gjithçka brenda zonës dhe është njeriu i duhur për stilin e lojës së Sëlltikut. Me kualitetin që ka kjo skuadër dhe me mënyrën e lojës që ajo shpalos në fushë, me shumë krosime nga krahët, Salihi do kishte një sukses të padiskutueshëm”, ka pohuar dje Vata për mediat skoceze. Por problemi kryesor, sipas Vatës, është nëse Salihit do t’i jepej shansi për të treguar vlerat e tij, meqenëse Sëlltiku ka dy sulmues: Hoper dhe Stok, të cilët kanë qenë impresionues këtë sezon, duke shënuar nga 15 gola secili. “E njoh Salihin dhe e di që ai dëshiron të luajë dhe jo të qëndrojë në stol. Nëse do isha në vend të tij, do pyesja veten se cili do ishte vendi im te Sëlltik dhe a do pranoja të ulesha në stol. Ai është në kulmin e karrierës dhe ka nevojë të luajë rregullisht. E megjithatë, të qëndrosh në stol te Sëlltik, është një shkallë më lart sesa stoli i Rapidit të Vjenës”, pohon Vata. Në fund, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare thekson se edhe nëse Salihi nuk arrin t’u zërë vendin si titullar Hoper-it ose Stok-ut, shumë mirë ai mund të luajë edhe me këta të fundit në skemën 4-3-3. “Salihi di të shënojë gola. Te Rapid nuk ka luajtur shumë, por ai ka shkëlqyer në Shqipëri, te Vllaznia e Tirana, si dhe te Riedi në Austri”, përfundon Vata.
LEONARD KARAJ