E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i legalizimeve, Berisha urdhëron kontrollin për ALUIZNI-n

Konsumimi i gjysmës së dytë të mandatit të dytë qeverisës rezulton me pakënaqësi të mëdha për një nga premtimet kryesore të demokratëve, që në zgjedhjet e 2005-ës; atë të legalizimit të zonave informale. Deklarata e kryeministrit Berisha se fushata për zgjedhjet e 2013-ës ka nisur që tani, në fakt nuk ka mbetur vetëm në letër, por po shoqërohet me lëvizje konkrete. Vetëm pak orë para se të udhëtonte për në Nju-Jork, për të marrë pjesë në punimet e vjeshtës të OKB-së, Berisha ka firmosur për herë të parë një urdhër të posaçëm për kontrollin e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe integrimit të Zonave/Ndërtimeve informale. Nuk bëhet fjalë për një kontroll rutinë, por për një hetim të hollësishëm të të gjithë procesit të legalizimeve. Urdhri i firmosur nga Kryeministri duket se shigjeton drejtpërdrejt punën e kreut të ALUIZNI-t, Shaban Memia, për të cilin, kreu i ekzekutivit mund të kishte menduar paraprakisht edhe ndonjë lëvizje në një pozicion tjetër. Por nuk ka ndodhur kështu. Berisha ka vendosur një kontroll të hollësishëm, ku grupi i punës i ngritur për këtë çështje do të jetë i detyruar që të hartojë një raport dhe të dalë me disa rekomandime për këtë agjenci. Vendimi për fatin e drejtimit të kësaj agjencie do të varet pikërisht nga përmbajtja e kontrollit, që nuk do të zgjasë pak, por plot 45 ditë. Prej kohësh, Kryeministri ka shprehur në rrugë jo zyrtare pakënaqësi ndaj këtij institucioni, si pasojë e shqetësimeve të përcjella atij nga përfaqësues të elektoratit të djathtë, që janë pjesë e këtij procesi. Në kushtet kur ende nuk ka një bilanc konkret për këtë proces, dhe që nga shumë analistë po konsiderohet edhe i dështuar, kreu i ekzekutivit ka vendosur të lëvizë, dhe jo më me mbledhje dhe takime informale, siç ndodh rëndom në punën e tij të përditshme, por me lëshime urdhrash, që në fund mund të shoqërohet edhe me shkarkime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›