E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i rrugëve, Basha: Përgjegjësit para drejtësisë

Reagimi/ Pas një bllokimi prej 15 orësh të aksit nacional në Himarë, për herë të parë reagon kreu i Ministrisë së Brendshme, i cili e cilësoi veprim kriminal bllokimin e rrugëve duke u shprehur se policia duhet të ndërhyjë me gjithë forcën që i jep ligji


VLORË - Kreu i Ministrisë së Brendshme ka deklaruar dje se nuk do të tolerohet asnjë bllokim rruge i bërë nga persona të caktuar, duke e quajtur një veprim të tillë si kriminal. Në një takim me drejtues e anëtarë të Policisë së Shtetit në qytetin e Vlorës, i shoqëruar edhe nga drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, ministri Lulzim Basha u shpreh: "Dua t'ju vë në dukje se qëndrimi ynë është i prerë ndaj kujtdo që ndërmerr një veprim kriminal siç është bllokimi i një aksi nacional apo i një rruge publike".


Duke iu drejtuar drejtorit të policisë së Vlorës, ai kërkoi që duke bashkëpunuar edhe me organet e policisë së shtetit në Tiranë, duhet të merreshin të gjithë masat në mënyrë që për çdo rast të ndërhyhej me forcën e ligjit dhe përgjegjësit të viheshin para ligjit. "Nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet asnjë bllokim rruge publike.


Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë person që merr pjesë apo tenton të marrë pjesë në një veprimtari të tillë. Unë ju kërkoj ju këtu në prani të drejtorit të përgjithshëm dhe nëpërmjet tij, drejtorit të çdo qarku për të vendosur një bashkëpunim sa më të ngushtë me prokuroritë e rretheve në mënyrë që çdo person i referuar nga ju të ndiqet penalisht deri në vënien e tij para drejtësisë dhe marrjen e dënimit që meriton",- theksoi Basha.


Ai vijoi duke thënë se "një veprimtari thellësisht antiligjore siç është bllokimi i rrugëve, do të marrë përgjigje të merituar, të menjëhershme dhe me fuqinë e plotë të ligjit. Për këtë nuk duhet të ketë asnjë dyshim dhe nuk duhet të lihet vend për asnjë dyshim".


Pavarësisht se nuk përmendi asnjë rast, ku më i theksuari në qarkun e Vlorës është bllokimi i aksit nacional në Himarë për 15 orë rresht, ministri kërkoi vendosmëri të plotë për vënien para drejtësisë të personave që shkaktojnë e kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin. "Sikundër strukturat antiterror të trajtojnë këtë çështje me prioritet.


Forcat e antiterrorit të godasi pa kurrfarë hezitimi për të parandaluar apo në rastet kur ka ndodhur, për të vendosur para drejtësisë personat përgjegjës, duke përfshirë këtu edhe personat frymëzues, pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike",- tha ministri Basha.


Duke iu referuar problemeve me infrastrukturën në Vlorë, ai u shpreh se ajo është e dobët dhe i mungon sinjalistika. Ndër to u përmend rruga transballkanike, e përuruar nga vetë kryeministri pak para zgjedhjeve, e cila është kthyer shpeshherë në një burim aksidentesh për shkak jo vetëm të mungesës së sinjalistikës, por edhe trotuareve për të lëvizur njerëzit.


Ministri i Brendshëm ka kërkuar një bashkëpunim më të madh me qeverisjen vendore duke u shprehur se për një mbarëvajtje punësh kërkohet një ndërgjegjësim nga të gjithë sektorët.
Në fund të qëndrimit të tij në Vlorë, Basha bëri edhe një vizitë në portin e këtij qyteti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›