E Diel, 1 Nëntor 2026

Motra e kunata e Adriatik Colit, 4 orë në polici

Dy gratë u shoqëruan në polici pas incidentit me policin që ruante banesën e familjes së bashkëpunëtorit të Drejtësisë


Policia la të lirë dy femrat pas ballafaqimit mes palëve. Të afërmit e dëshmitarit, pretendojnë se policia ushtroi dhunë ndaj tyre


DURRËS- Efektivët e Policisë së Durrësit, shoqëruan për katër orë në ambientet e saj, motrën dhe kunatën e të penduarit të "bandës" së Durrësit, Adriatik (Dritan) Colin, pas një incidenti pranë banesës së tyre.


Ata u shoqëruan në ambientet policisë pavarsisht faktit se janë në mbikëqyrjen e Programit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë (PMDD). Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë së Durrësit dhe zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë në Policinë e Shtetit.


Sipas burimeve, persona u shoqëruan pas një debati të motrës së vogël të të penduarit dhe bashkëshortes së vëllait të Colit me policin e repartit të BRISK-ut, që kishte detyrë ruajtjen dhe sigurinë e jashtme të shtëpisë së familjes Adriatik Coli në lagjen 9 të Durrësit.


Kjo banesë, me përfshirjen e Adriatik Colit në Programin PMDD-së ruhet 24 orë nga policia e qytetit. "Mesditën 22 gushtit u shoqëruan në Komisariatin e Policisë së Durrësit motra dhe bashkëshortja e vëllait të Adriatik Colit. Shoqërimin u krye pas një grindjeje për motive banale, pas një debati verbal me efektivin e policisë që ruante shtëpinë e familjes Coli në lagjen 9 të Durrësit, -thanë burimet e policisë.


Konfirmohet se motra e vogël e Colit, që jeton prej vitesh në Itali dhe për momentin ndodhet me pushime në Shqipëri, së bashku me bashkëshorten e vëllait të Colit që janë pjesë PMDD, u nisën nga Tirana për në Durrës për një vizitë familjare në Spital. Ku ndodhej e shtruar mbesa e Adriatik Colit, me vajzën e saj të sëmurë.


Pas vizitës, motra dhe kunata e të penduarit u drejtuan për në banesën e tyre, që ruhej nga policia, në lagjen nr. 9 të qytetit bregdetar. Sapo u afruan tek hyrja kryesore, polici roje që kishte për detyrë ruajtjen e ndërtesës, i ndaloi duke mos i lejuar të futen brenda. Kjo ndalesë i irritoi dy gratë që nisën të debatojnë me policin që ruante objektin.


Debatet mes tyre degjeneruan në fyerje dhe sharje mes palëve. Ndërkaq, efektivi i policisë, duke parë këmbënguljen e familjarëve të Colit për të hyrë në ndërtesë lajmëroi eprorët e tij, të cilët kanë nisur për në vendin e ngjarjes një furgon policie dhe dy autopatrulla të komisariatit të policisë së Durrësit.


Kur patrullat mbërritën në vendin e ngjarjes vunë re se gjendja mes policit e dy familjarëve të Colit, ishte e tensionuar, çka i detyroi eprorët të urdhërojnë efektivët e tjerë të policisë të kryenin shoqërimin në drejtori të dy grave për sqarime të mëtejshme dhe qetësim të situatës. Pas 4 orëve mbajtjeje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, gratë u lanë të lira dhe janë nisur për në banesën e tyre në Tiranë.


Ndërkohë, burimet pranë familjarëve të Colit pretendojnë se gjatë debatit mes motrës së Colit dhe efektivit të policisë, ai ushtroi dhunë fizike duke e goditur me shkelma femrën dhe më pas duke e shtyrë me duar.


Por, ky pretendim është hedhur poshtë nga zyrtarët e Policisë së Durrësit, të cilët sqaruan se në asnjë mënyrë nuk është përdorur dhunë fizike ndaj dy familjarëve të Colit, të cilët janë irrituar pasi polici roje nuk i ka lejuar të hyjnë brenda ndërtesës.


Ndërkaq, burimet pranë zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve nuk dhanë ndonjë arsye se pse dy familjarët e Colit nuk ishin të shoqëruar me efektivë të policisë meqenëse ata ndodhen në Programin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë.


Në janar familja e Colit pretendoi se nuk po mbrohej nga Policia

Në janar të këtij viti, ka qenë vëllai i të penduarit Adriatik Colit, i cili gjatë një prononcim për "Shekullin" pat akuzuar Zyrën për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë për neglizhencë dhe mos kujdes ndaj tyre. "Na kanë strehuar në një banesë ku na shoqërojnë kur dalim jashtë, por në disa raste agjentët e shërbimit të turnit të natës vijnë rrinë vetëm pak minuta dhe më pas largohen duke na lënë në mëshirë të fatit.


Tri ditë më parë, jemi kërcënuar me jetët tona. Pas kërcënimit jemi detyruar të heqim fëmijët nga Shkolla prej frikës së vrasjeve. Jemi 17 pjesëtarë të familjes së Adriatik Colit që herë pas here mbesim pa siguri nga agjentët e papërgjegjshëm. Na është premtuar se do na nxirrnin jashtë shtetit, por, tani na thonë se nuk jeni të rrezikuar ju por vetëm bashkëshortja e Colit dhe fëmijët e tij"-pat deklaruar vëllai i të penduarit Coli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›