E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk mori vizë për SHBA, kërcënoi me harakiri

Policia neutralizoi kërcënuesin i cili sipas burimeve ishte refuzuar për herë të dytë të merrte vizë në Ambasadën Amerikane


Policia tha se i dyshuari ishte përdorues i lëndëve narkotike. Në momentin e ngjarjes ishte në gjendje depresive


TIRANE- Një person shkaktoi jo pak panik dje në mesditë në rrugën e Elbasanit, përballë fakutletit të Gjuhëve të Huaja në portën hyrëse të Ambasadës Amerikane në Tiranës, ndërsa kërcënoi se do të digjte veten me benzinë, ndërsa në dorë mbante një shishe në të cilën kishte lëndën djegëse.


Policia tha zyrtarisht se autori ishte në gjendje depresioni dhe përdorues i lëndëve e substancave narkotike, por burimet thanë se ai ishte mjaft mirë mendërisht dhe psikologjikisht, për shkak se i ishte refuzuar viza për herë të dytë nga misioni diplomatik i ambasadës së SHBA-së në Tiranë.


Ngjarja ndodhi dje në mesditë rreth orës 12:00, kur Bledar Arapi, 26 vjeç, nga Fieri dhe banues në rrugën "Sadik Petrela", për disa minuta shkaktoi panik në zonën për rreth selisë diplomatike më të rëndësishme në Tiranë, kur kërcënoi se do t'i vinte flakën vetes. Lokalet për rreth u evakuuan nga policia, e cila mbërriti me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe nisi të negocionte me personin. Në të kundërt, pavarësisht pretendimeve të Arapit, policia zyrtarisht tha se personi nuk ka pasur pretendime ndaj Ambasadës Amerikane.


Kërcënimi


Bledar Arapi, 26 vjeç, nga Fieri dhe banues në lagjen Kodra e Priftit, në rrugën "Sadik Petrela" , rreth orës 12:15 minuta, u afrua pranë traut të ambasadës dhe kërcënoi se do të vetëdigjej. Dëshmitarë të ndryshëm thanë se ai mbante në dorë një shishe plastike një litër e gjysmëshe të mbushur me lëng, ndërsa kërcënonte se do të vetëdigjej.


Këtë kërcënim, sipas burimeve të policisë, ai e përsëriti disa herë ndërsa policia mbërriti në vendin e ngjarjes, ndërsa personeli i sigurisë së ambasadës ishte ngritur në nivelin më të lartë të sigurisë, në gatishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme.


Në pak minuta pas mbërritjes së patrullave të policisë së komisatiriatit nr.1, personi u neutralizua ndërsa ai u shoqërua fillimisht në ambientet e këtij komisariati. Aty një oficer i policisë gjyqësore i mori deklarimet ndërsa ai pohoi se i ishte refuzuar viza dhe kishte kryer aktin në shenjë proteste.


Pas marrjes së deklarimit në komisariatin nr.1, Arapi, u përcoll në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku specialistët e Antiterrorit, morën në pyetje këtë të fundit në lidhje me aktin e tij. Para tyre Arapi përsëriti të njëjtin pretendim, kur pohuar se i ishte refuzuar viza dy herë. Ndërkaq pas marrjes së deklarimit të tij, policia ka administruar shishen me lëndën djegëse si provë materiale.


Ndërkaq hetuesit e antiterrorit, morën në pyetje edhe disa punonjës të personelit të sigurisë të Ambasadës Amerikane të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes në momentin e incidentit. Këta të fundit nuk lanë madje as kamerat dhe as gazetarët të filmonin skenën ku po ndodhte ngjarja, duke e cilësuar veprimin për arsye sigurie.


Ndërkaq, pas veprimeve në vendin e ngjarjes dhe veprimeve të tjera hetimore, policia përcolli në prokurorinë e Tiranës, materialet përkatëse në ngarkim të Arapit, me akuzën e prishjes së rendit e qetësisë publike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›