E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen 71 kg mariuanë në Përmet

Gjirokastër- Një tjetër sasi lënde narkotike është kapur nga policia e Gjirokastrës, ndërsa përpiqej të trafikohej drejt Greqisë. Sekuestrimi i sasisë së drogës prej 71 kilogramësh është bërë në orët e para të mëngjesit, në afërsi të kufirit të gjelbër në vendin e quajtur ‘Ura e Kokës” në rrethin e Përmetit.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se droga u kap pas mbërritjes së një sërë informacionesh për trafikimin e një sasie lëndë narkotike nëpërmjet kufirit me shtetin grek dhe transporti i saj ishte marrë përsipër nga tri persona.

“Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për transportimin e një sasie lënde narkotike nga Gjirokastra në drejtim të kufirit të gjelbër midis Tre-Urave dhe Leskovikut për në shtetin grek, u organizuan shërbimetnë aksin rrugor Gjirokastër- Përmet -Leskovik.

Pak orë më vonë, u konstatua se po transportohej me krahë nga tre persona një sasi lënde narkotike nëpërmjet kodrave mbi aksin rrugor, në vendin e quajtur Ura e Kokës, pranë vijës së kufirit të gjelbër”, është shprehur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai, në lidhje me operacionin.

Mësohet se megjithëse trafikanëtët janë ndjekur nga uniformat blu, pas braktisjes së drogës kanë mundur të largoheshin duke përfituar nga terreni mjaft i vështirë malor dhe errësira.

Më tej, në vendngjarje janë konstatuar 3 çanta shpine të mbushura me pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban të tejdukshëm dhe ngjyrë kafe, brenda të cilave ndodheshin 71 kilogramë lëndë narkotike e llojit mariujanë.

Ndërkaq, puna është përqendruar në zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë në këtë trafik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›