E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthimi i emigrantëve, radhe 5 km në Kakavije

Kakavijë- Puna e ngadaltë në anën greke të doganës dhe fluksi shumë i madh i emigrantëve që kthehen në atdhe për festat e fundvitit ka shtuar radhën në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Sipas vetë emigrantëve, kontaktuar nga korrespondentja jonë atje, radha është shumë e gjatë dhe pritja në këtë të ftohtë po bëhet e padurueshme.

Vetë emigrantët tregojnë se kanë qëndruar në pritje për më shumë se 4 orë. “Kemi që me natë në doganë dhe jemi detyruar të presim gjatë, pasi punohej shumë ngadalë nga pala greke”- thonë emigrantët.

Ata tregojnë se nga ana gerke e kufirit radha e automjeteve në pritje për të hyrë në Shqipëri është 5 kilometër.

Ndërkohë të dhënat nga policia jonë, flasin për një fluks në rritje të emigrantëve. Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit mësohet se kanë hyrë 13 mijë emigrantë me rreth 3500 automjete. Ndërkohë që sipas llogaritjeve paraprake të bëra, mendohet se shumë të tjerë janë në pritje për të ardhur, ndaj për këtë dogana shqiptare ka marrë masa për shtimin e numrit të sporteleve. Deri tani situata në Kakavijë ka qenë e qetë dhe ka funksonuar në normalitet të plotë. Ndërkohë që sot, shënohen radhët e para për sezonin dimëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›