E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, PS-ja hap zyrat elektorale në janar

Për disa ditë me radhë, drejtuesit e shtabeve elektorale lokale kanë informuar partinë në qendër mbi zbatimin e strategjisë zgjedhore

TIRANË- Vonesat që po shkakton mazhoranca për kalimin për votim të dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor, nuk kanë penguar Partinë Socialiste të vazhdojë përgatitjet e saj organizative në kuadër të fushatës së ardhshme elektorale. Pikërisht në funksion të kësaj fushate, kreu socialist, Edi Rama, ka thirrur ditët e fundit në takime të veçanta drejtuesit e shtabeve elektorale nëpër qarqe, me të cilët ka analizuar fazën e parë të organizimit elektoral për tremujorin tetor-dhjetor, ku natyrisht janë diskutuar dhe rezultatet konkrete për secilin qark. Në këto takime, secili shtab është përfaqësuar nga i dërguari i kryesisë, sekretari rajonal dhe koordinatorët në rang qarku dhe qyteti, të cilët kanë informuar strukturat e partisë në qendër dhe shtabin qendror elektoral me zbatimin e udhëzuesve të punës për secilin prej drejtuesve dhe strukturave lokale të miratuara edhe nga kryesia dhe Asambleja Kombëtare gjatë mbledhjeve të fundit. Mbledhjet janë zhvilluar sipas një grafiku të përcaktuar, ku për çdo ditë kanë raportuar për punën e tyre shtabet elektorale të tre qarqeve. Më konkretisht, në këto takime është marrë në analizë puna e bërë për realizimin e objektivave afatshkurtër të procesit të organizimit elektoral, duke filluar me ngritjen e sistemit të patronazhit, sipas të cilit çdo anëtar i Organizatave Socialiste (OS) mbulon një territor të caktuar të qendrës së votimit dhe zgjedhësit që i korrespondojnë këtij territori. Gjithashtu, një detyrë tjetër, e cila duhet të ishte realizuar gjatë kësaj faze, ka qenë dhe identifikimi i mënyrës se si votojnë zgjedhësit. Kështu, për zbatimin e saj, organizatat kanë punuar me listat e zgjedhësve (të përgatitura nga Shtabi Qendror i Organizimit Elektoral të PS-së) dhe, pasi kanë identifikuar se për cilën forcë politike votojnë zakonisht zgjedhësit, kanë kryer edhe shënimet përkatëse në listat e zgjedhësve. Një tjetër çështje për të cilën drejtuesit e fushatës në bazë kanë raportuar, ka qenë edhe hedhja në listat e zgjedhësve të informacionit të nevojshëm për kontakte telefonike me zgjedhësit dhe për personat influentë në qendrat e votimit. Gjatë kësaj kohe, detyrë e strukturave lokale ka qenë edhe puna me të lëkundurit në bindjet e tyre dhe abstenuesit në zgjedhje. Votues që votojnë për forca të ndryshme politike në zgjedhje të ndryshme, si dhe votues që, ose nuk votojnë rregullisht, ose që ka pasur raste që nuk kanë shkuar për të votuar, gjatë kësaj periudhe, janë kontaktuar vazhdimisht dhe do të kontaktohen edhe në muajt në vazhdim për ta bindur atë për të votuar për listën e kandidatëve të PS-së. Gjithashtu, një vëmendje e veçantë nga strukturat e partisë në bazë i është kushtuar edhe identifikimit të personave që, në zgjedhjet e mëparshme janë përpjekur ose kanë manipuluar zgjedhjet në favor të partive të tjera, me qëllim izolimin e tyre. Por, përveç raportimit, drejtuesit e fushatës në rang qarku kanë marrë dhe një sërë detyrash të tjera, ku ajo më kryesorja dhe që do të realizohet më afër është ngritja e zyrave elektorale. Java e parë dhe e dytë e janarit do t’i kushtohet pikërisht këtij objektivi, për të ngritur zyra elektorale në qendrat e rrethit. Zyrat do të jenë si strukturë e veçantë nga partia dhe do të funksionojnë si pikë referimi për socialistët dhe mbështetësit socialistë të zonës për fushatën e ardhshme elektorale. Më pas këto zyra do të shtrihen edhe nëpër fshatra, për të vijuar me afrimin e fushatës edhe në lagjet e qyteteve dhe të fshatrave. Ndërkohë që, gjatë këtyre takimeve është diskutuar edhe për një sërë planesh afatgjata, siç është vijimi i fushatë për të bindur votuesit e lëkundur dhe abstenuesit për të votuar për PS-në, fushatë për t’i bindur qytetarët për të dalë në zgjedhje, apo edhe marrja e masave për mbrojtjen e votave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›