E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen autobotet, do të ujisnin hashashin

GJIROKASTËR- Edhe pse Lazarati njihet si një fshat ku mungojnë burimet natyrale të ujit të pijshëm, banorët e tij kanë gjetur mënyrën e duhur për të kultivuar bimën narkotike të hashashit (e cila kërkon ujitje të përditshme). Për të bërë këtë gjë është ngritur një rrjet ujitjeje, i cili çdo ditë transporton ujin nga fshatrat e tjerë për në Lazarat. Një kontroll rutinë i zhvilluar paraditen e djeshme nga policia lokale ka bllokuar pesë autobote uji nga fshati Lazarat, të cilat ishin të gjitha pa dokumentet përkatëse. Dy prej banorëve kanë kundërshtuar policinë me dhunë dhe për këtë gjë janë arrestuar ndërsa një i tretë është prangosur për armëmbajtje pa leje.Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës pohuan se “Janë bllokuar pesë mjete të mëdha transporti të cilat shërbenin për transport uji, (bote uji) nga fshati Lazarat, të cilat ishin pa dokumentacionin ligjor. U shoqëruan në polici për dhjetë orë, tetë shtetas po nga ky fshat, të cilët kanë kundërshtuar forcat e policisë gjatë kontrollit të automjeteve në postblloqet e ngritura”. Sipas tyre, gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë është ndaluar një automjet tip benz pa targa, i drejtuar nga shtetasi Oldian Proko, 19-vjeç, lindur dhe banues në Lazarat. Gjatë kontrollit ka rezultuar se në dyshemenë e sediljes së pasagjerit ndodhej një armë zjarri automatike model 56, me dy krehra të mbushur me fishekë, si dhe poshtë sediljes së shoferit një levë hekuri. Menjëherë është bërë shoqërimi i mjetit për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje”. Sipas policisë, një tjetër kontroll janë ndaluar dy mjete transporti tip Benz kamionçinë, të cilat transportonin ujë me cisterna metalike në drejtim të fshatit Lazarat, konkretisht një kamionçinën me targa “GJ 13 30 A” dhe një kamionçinën tip benz pa targa. “Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se, këto mjete ishin pa dokumentacionin përkatës dhe për këtë arsye janë bllokuar. Gjatë shoqërimit të kamionçinës pa targa për në pikën e bllokimit, shtetasit Urim Mahmuti, 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat, si dhe shtetasi Xhemali Mahmuti, 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat (djali dhe babai) kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë të cilat po bënin shoqërimin e këtij mjeti për në pikën e bllokimit. Me ndërhyrjen e forcave të F.N.SH dhe forcave të tjera të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë bllokimi i kamionçinës me cisterna metalike si dhe arrestimi në flagrancë i tyre”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Po kështu, 28 automjete të tjera të cilat qarkullonin pa dokumentacion, janë bllokuar dhe janë transportuar në pikën e bllokimit në Dragot të rrethit Tepelenë, janë shoqëruar 14 mjete të cilat lëviznin me xhama të zinj. Këtyre mjeteve u janë hequr xhamat e zinj dhe janë ndëshkuar me gjobë sipas Kodit Rrugor. Në total, brenda pak ditësh, policia e Gjirokastrës ka vendosur 144 gjoba me vlerë 121.000 lekë, si dhe ka hequr tre leje drejtimi pronarëve të automjeteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›