E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, emigrantët zgjedhin gushtin për tu divorcuar

VLORË- Vetëm gjatë muajit gusht në gjykatën e Vlorës janë depozituar 34 kërkesa për divorc. Edhe pse njihet si muaj që shumica e administratës në këtë institucion është me pushime, sërish çiftet nuk kanë nguruar ti drejtohen gjykatës për zgjidhjen e martesës. Numrin më të madh e zënë emigrantët, të cilët duket se pushimet e muajit gusht i kanë shfrytëzuar edhe për të zgjidhur përfundimisht raportet në çift, duke zgjedhur për këtë divorcin. Teksa janë hedhur tashmë shortet e gjyqtarëve, për të nisur seancat, mësohet se gjatë periudhës prej janarit të këtij viti janë regjistruar gjithsej 315 çështje për zgjidhjen e martesave. Prej tyre kanë përfunduar 217 dhe të pranuara janë 150. Sipas shifrave që jep kancelari i kësaj gjykate Albert Pashaj, janë pushuar 64 çështje, ku presupozohet se në raste të tilla, shumica e këtyre çifteve i drejtohen pajtimit. Rastin më të pazakontë e ka zënë depozitimi i kërkesës së një 72 vjeçari, i cili pasi ka kaluar mbi 45 vjet martesë ka kërkuar zyrtarisht divorcin. Ndërkohë kërkesat e fundit janë dominuar nga emigrantët, praktikë kjo që njihet edhe në periudha të tilla të mëparshme. A. Peçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›