E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen kolektorët,përmbytet "Don Bosko"

Nga Ermelinda Hoxhaj
Shirat e rrëmbyeshëm të rëne gjatë këtyre ditëve kanë shkaktuar vështirësi në rrugët e Tiranës. Probleme jo vetëm në lëvizjen e këmbësorëve, por edhe të automjeteve. 

TIRANE-. Kryesisht, më problematike ka qenë rruga "Don Bosko", sidomos kryqëzimi i kësaj rruge me rrugën "Mine Peza", në Unazë, ku kolektori kryesor ka dalë jashtë funksionit dhe është përmbytur e gjithë rruga. Kjo gjë ka sjellë probleme jo vetëm në lëvizjen e këmbësorëve, por edhe të automjeteve. Ndërkohë, probleme shumë të mëdha ka pasur edhe në rrugën "Komuna e Parisit" dhe "Irfan Tomini". Kështu, qindra banorë në bllokun e pallateve pranë këtyre rrugëve, dhe sidomos në rrugën "Irfan Tomini", e kanë pasur të vështirë të dalin nga apartamentet e tyre, për shkak të bllokimit të pusetave të ujërave kullues dhe ujërave të zeza, duke sjellë përmbytjen e hyrjeve të pallateve. Rrugët problematike tashmë dihen, pasi sa herë që bie shi ato përmbyten, por edhe pse ato janë tashmë të evidentuara, asnjë ndërhyrje nuk bëhet që ditët me shi të mos sjellin më këto probleme. E njëjta situatë paraqitet sa herë ka reshje të dendura shiu në rrugën "Don Bosko, "Komuna e Parisit" si dhe në rrugën "Vasil Shanto". Gjithashtu, probleme ka edhe në "Tiranën e re", për shkak se është bërë bllokimi i kolektorëve nga ndërtimet pa leje që janë ndërtuar mbi to. Problemet e përmbytjeve të shumë rrugëve në kryeqytet vijnë për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese. Gjendja në rrugën "Komuna e Parisit" paraqitet tejet problematike. Banorët në bllokun e banimit pranë rrugës "Irfan Tomini" e kanë pasur të vështirë të dalin nga apartamentet e tyre, për shkak të bllokimit të pusetave të ujërave kulluese dhe ujërave të zeza. Hyrjet e pallateve janë mbuluar nga mbi 30 cm ujë dhe fëmijët e të moshuarit nuk kanë mundur të dalin nga shtëpitë e tyre. Kjo lagje vuan nga kjo situatë gjithmonë në kohë me shi, duke u përmbytur në mënyrë të tillë, por ende autoritetet lokale nuk kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën. Gjendja bëhet akoma më e vështirë, pasi uji i shiut bashkohet me ujërat e zeza duke rrezikuar përhapjen e epidemive. Sipas sinoptikanëve, reshjet e shiut do të vazhdojnë deri ditën e enjte, ndërkohë që priten ulje të temperaturave me 2 deri në 3 gradë celsius.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›