E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gradat, ja si janë rritur rrogat e policëve

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka ngritur nivelin bazë të pagave të punonjësve të policisë nga 650 deri në 6.900 lekë të reja. Vendimi u hoqi shpresat policëve se mund të paguheshin me atributet e gradave të reja. 

TIRANE - Policëve u rritet rroga për nivel, por u zbritet për gradë. Vendimi i Këshillit të Ministrave ka ngritur nivelin bazë të pagave të punonjësve të policisë nga 650 deri në 6.900 lekë të reja. Kështu që, një nënoficer policie i sapodalë nga shkolla e Patrullës së Përgjithshme, do të marrë 32 mijë lekë kundrejt 31.350 që merrte një agjent që kishte gradën më të vogël. Reforma e Policisë së Shtetit solli rritjen e gradave të punonjësve dhe oficerëve të policisë. Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave, u hoqi shpresat policëve se mund të paguheshin me atributet e gradave të reja. Por gjithsesi nuk kanë mbetur fare pa gjë punonjësit e policisë, pasi kanë përfituar nga rritja e pagës për funksione. Policët e nivelit zbatues, i cili është ekuivalent i nivelit bazë të policisë, do të marrin 650 lekë deri në 6.900 lekë më shumë. Oficerët e nivelit të parë zbatues ekuivalent me rolin e mesëm, përfitojnë rritje nga 2.300 deri në 25.650 lekë. Oficerët e nivelit të mesëm drejtues, ekuivalent me rolin e lartë, përfitojnë nga 2.500-1600 lekë më shumë. Ndërsa oficerët e nivelit të lartë drejtues, ekuivalent me rolin madhor përfitojnë nga 3.000-5.500 lekë më shumë. Ndërkohë që pagat për gradë pësojnë ulje 14 mijë lekë për nën/inspektor, 3.800 mijë lekë për gradën e inspektorit, 15.250 lekë për gradën e kryeinspektorit, 17.600 për gradën e nën/komisarit, 36.750 lekë për gradën e komisarit, 1500 lekë për gradën e kryekomisarit, 9.600 lekë më pak për gradën drejtues dhe 6.950 lekë më pak për gradën Drejtues i Parë. Ulje kanë pësuar edhe shtesat e pagave për shkak të vështirësisë. Shpërblimet u janë hequr për funksione të forcës së posaçme dhe oficerëve të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtesat 27 mijë lekë dhe 33.500 lekë për rolin e lartë, ekuivalent me rolin aktual të drejtuesit. Është hequr 10 mijë lekëshi shtesë që merrnin drejtuesit në sektorët e veçantë të policisë. Është rrumbullakosur në 40 mijë lekë shtesa për RENEA-n, njësitë speciale antieksploziv, negociatorët, NJLTKM dhe RESI. Ndërsa janë ulur shpërblimet për kryekomisarët, shefa komisariatesh dhe seksionesh të veçanta në drejtoritë e qarqeve dhe specialistë në Drejtorinë e Përgjithshme.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›