Bllokohet automjet me ujë për bimët narkotike
GJIROKASTËR- Patrullimet 24-orëshe të uniformave blu dhe bllokimet e vazhdueshme të automjeteve që transportonin ujë ose pleh kanë nxjerrë një tjetër formë transporti. Burime konfidenciale të policisë së Gjirokastrës kanë bërë të ditur se tashmë uji dhe plehu që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike, transportohen me automjete të mbuluara. Rasti i parë është evidentuar mëngjesin e djeshëm në aksin kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Kordhocë, ku është bllokuar një kamion 10-tonësh i mbuluar, i cili shërben për transport mallrash. Burime nga policia bëjnë të ditur se në brendësi të kamionit ishin të ngarkuara 3 cisterna plastike nga 2 tonë secila të mbushura me ujë dhe drejtuesi i automjetit po i transportonte për në fshatin Lazarat, me qëllim për të ujitur bimët narkotike. Kamioni është bllokuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. "Në momentin e bllokimit nga policia drejtuesi i tij nuk dispononte dokumentacionin përkatës të automjetit", - ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Ndërkaq, burimet zyrtare policore kanë theksuar gjithashtu se uniformat blu patrullojnë 24 orë duke bërë të mundur bllokimin e të gjitha automjeteve që tentojnë të futen në fshatin Lazarat të ngarkuara me ujë dhe pleh. Të dhënat tregojnë se gjatë muajit korrik, në vendin e quajtur Kordhocë janë bllokuar 8 kamionçina, të cilat ishin të ngarkuara me cisterna metalike dhe plastike që shërbenin për transport uji dhe 16 kamionçina të ngarkuara me pleh organik. Sipas policisë, këtë vit është ulur numri i bimëve narkotike të kultivuara në fshatin Lazarat.