E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plumba për hakmarrje 35-vjeçarit

FIER/ Elis Nuhaj dhe Julian Meçe janë shpallur në kërkim pasi dyshohen si autorë të plagosjes së Besnik Muratit


Burime nga policia bënë të ditur se djemtë ishin rrahur një muaj më parë pasi kishin ngacmuar të afërmen e viktimës


FIER - Plagoset me armë zjarri një 35-vjeçar në qytetin e Fierit, ndërsa në kërkim janë shpallur dy autorët e dyshuar të saj. Burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për ngjarjen e ndodhur ka qenë një konflikt i ndodhur rreth një muaj më parë mes viktimës dhe dy autorëve të ngjarjes, ku i pari ka rrahur të dytët.


Një gjë e tillë ka bërë që dy djemtë të përgatiteshin e t'i zinin pritë duke tentuar ta vrisnin 35-vjeçarin Besnik Murati. Policia ka shpallur në kërkim 20-vjeçarin Elis Nuhaj dhe 23-vjeçarin Julian Meçe. Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "vrasje e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje".


Ngjarja


Ka qenë pothuajse mesnatë koha në të cilën Besnik Murati, 35 vjeç, banor i lagjes "Kastrioti" në qytetin e Fierit, po kthehej në shtëpi, e cila ndodhet rreth 20 metra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit. Teksa ka zbritur nga automjeti i vet, ai është qëlluar me armë zjarri automatik nga disa persona të cilët i kishin zënë pritë.


Plumbat mësohet se e kanë kapur në pëllëmbën e njërës dorë, si dhe në pjesën e barkut. 35-vjeçari ka arritur të shkojë vetë në spitalin e Fierit dhe sipas mjekëve ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Ndërkohë, banorë të pallatit ku banon Murati bëjnë të ditur se kanë dëgjuar disa krisma armësh, por pa mësuar dot se ç'ndodhte. Disa prej tyre kanë parë policë të mbërrinin pranë vendit, por vetëm të nesërmen kanë mësuar se Besnik Murati kishte qenë objektiv i plumbave.


Hetimi


Duke qenë se banesa e Muratit ndodhej shumë pranë drejtorisë së policisë, grupet e gatshme kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Teksa është rrethuar skena e krimit, janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët, për të bërë të mundur zbulimin e autorëve të ngjarjes.


Disa orë më pas, burime të policisë bënë të ditur se autorë të dyshuar janë Elis Nuhaj, 20 vjeç dhe Julian Meçe, 23 vjeç, që të dy banorë të qytetit të Fierit. Shkak për ngjarjen mësohet të ketë qenë një konflikt i rreth një muaji më parë mes dy autorëve dhe viktimës. Kështu mësohet se një vajzë, e afërme e Muratit është ankuar tek ai se disa djem e ngacmonin në rrugë duke e sharë dhe në ndonjë rast i kanë hedhur edhe vezë.


Pas kësaj ankese, 35-vjeçari ka takuar dy djemtë dhe pas një debati që nuk ka parë zgjidhje, i ka rrahur të dy. Një gjë e tillë ka bërë që Nuhaj dhe Meçe të përgatisin hakmarrjen e tyre e si rrjedhojë mbrëmjen e së martës i kanë zënë një pritë duke e qëlluar Muratin me armë zjarri, automatik. Dy të rinjtë janë shpallur në kërkim ndërsa janë akuzuar për "vrasje të mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›