E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpat Kasapi Bie në dashuri me grekët!

Nga bashkëpunimi muzikor me një këngëtar grek, Shpat Kasapi synon të hidhet edhe në tregun botëror të muzikës. Një hit i ri, një videoklip i lënë pezull për shkak të fesë dhe dashuria me Afërditën

Kur prezantuesja e njohur greke, Eleonora Meleti, e ftoi këngëtarin shqiptar Shpat Kasapi për të qenë protagonist në emisionin e saj të mëngjesit “Proino kafe”, ky i fundit nuk e dinte se çfarë “meseleje” i ishte futur. Pas ftesës së biondes së famshme të ekraneve grekë fshihej edhe simpatia që ajo ndjente për këngëtarin e njohur. Por duket se pikërisht kjo performancë e tij përpara publikut grek, rezultoi edhe si një ogur i mbarë për karrierën e këngëtarit, pasi disa kompozitorë të talentuar në shtetin fqinj kërkuan të punonin me të. Ndaj nuk është rastësi që hiti i radhës i Shpatit do të jetë një bashkëpunim muzikor mes tij dhe yllit të muzikës greke, Sakis Ruovas. “Kur isha në Greqi, para dy muajsh, kam krijuar shumë kontakte të reja me emra të rëndësishëm të muzikës greke, por më së shumti kam pasur simpati nga kompozitorë që punonin me Sakis Ruovas. Besoj se një bashkëpunim me të do të jetë diçka shumë e vlefshme edhe për karrierën time si këngëtar”, pohon ai për gazetën “Korrieri”. Me këtë këngë, ai dëshiron që të hedhë bazat për t’u futur në tregun evropian të muzikës, duke filluar fillimisht me shtetet fqinjë e më pas me një shtrirje më të gjerë. “Besoj se ky do të jetë një hap i mirë për mua, pasi një nga synimet e mia primare është që të bëj emër edhe në shtetet e huaja të botës. Në Shqipëri mendoj se jam shumë i njohur, ndaj e vetmja gjë që më ka ngelur pa testuar, është shija e publikut të huaj. Dhe këtë do e nis me Greqinë, ndërsa më pas shpresoj që të kem sukses edhe me emra të tjerë të rëndësishëm të muzikës botërore”, vijon këngëtari. Kohët e fundit i është dashur që të udhëtojë shpesh drejt shtetit fqinj, pasi i duhet të punojë për hitin e radhës, ndërsa pas disa ditësh ai finalizon edhe albumin e dytë muzikor, të cilin do e lançojë në të gjithë tregjet muzikore shqiptare. “Kjo përmbledhje e dytë muzikore do të përmbajë plot 11 këngë. Për këtë kam bashkëpunuar me kompozitorin tim prej vitesh, Avni Qamilin, si dhe me Makin. Por këtu më duhet të them se, përpos krijimeve të tyre, unë vihem shpesh edhe në pozicionin e kompozitorit, pasi deri më tani kam krijuar disa këngë për kolegë të mi kosovarë dhe ajo që më bën më tepër përshtypje, është fakti se të gjithë krijimet e mia janë kthyer në hite për publikun e kudondodhur”, thotë sërish këngëtari. Sa u takon videoklipeve muzikore, ai ka menduar të sjellë një tillë vetëm pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit. Një besimtar i devotshëm si ai, nuk mund të humbasë kurrsesi lidhjen me fenë vetëm për një plus në karrierën e tij si këngëtar. “Unë jam një besimtar i devotshëm i fesë myslimane, madje shpesh falem në xhami. Përkushtimi ndaj Zotit është një gjë që mua më mbush shpirtërisht dhe më forcon si njeri”, shpjegon Kasapi, ndaj për hir të besimit këtë herë ka menduar që të lërë pas dore edhe videoklipet. Por duket se feja nuk e pengon këngëtarin që të vazhdojë lidhjen e tij të dashurisë me modelen shqiptare në Amerikë, Afërdita Dreshaj. Përveçse po kalon një periudhë të artë në aspektin sentimental, Shpati gjen rastin për të mbyllur gojët e liga se ata të dy janë ndarë. “Mediat sajojnë situata nga më skandalozet vetëm për të rritur tirazhin e shitjeve. Unë vazhdoj të jem i lidhur me Afërditën. Gjithçka shkon shumë mirë dhe për këtë ndjehem i lumtur”, përfundon këngëtari nga Maqedonia.

“Kur isha në Greqi, para dy muajsh, kam krijuar shumë kontakte të reja me emra të rëndësishëm të muzikës greke, por më së shumti kam pasur simpati nga kompozitorë që punonin me Sakis Ruovas. Besoj se një bashkëpunim me të do të jetë diçka shumë e vlefshme edhe për karrierën time si këngëtar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›