E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet porti në Durrës, deti 6 ballë

Përmbyten sheshe e rrugë, probleme në ish-Kënetë e Shkozet

Shirat që nisën mbrëmjen e së dielës e që po vazhdojnë ende, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në Durrës dhe rrethinat e tij. Puna në portin detar është bllokuar thuajse plotësisht, ndërsa një pjesë e rrugëve dhe e shesheve, si brenda në qytet dhe në rrethina, janë përmbytur, kurse forca e detit, sipas kapitenerisë, ka qenë mbi 6 ballë. Një situatë e tillë ka detyruar pushtetarët vendorë që të urdhërojnë vendosjen në punë pa ndërprerje të dy hidrovorëve në shkallë rrethi. Meteorologët parashikojnë përkeqësim të motit për ditën e martë, ku pritet që Durrësi mund të përfshihet dhe nga një stuhi e fortë detare. Moti Të dielën rreth orës 20:00, Durrësi u përfshi nga shira të rrëmbyeshme, të cilat nuk pushuan për asnjë çast edhe gjatë gjithë ditës së djeshme. Si rezultat, puna në portin detar u ndërpre thuajse fare, pasi anijet kyçën hambarët e mallrave ndërsa elektrovinçat u stakuan, po ashtu edhe peshkarexhat. Kjo do të thotë se biznesi dhe porti humbën disa mijëra dollarë. Por, fatmirësisht, me gjithë motin e keq, që të tre tragetet e linjës Bari-Durrës arritën që të ankorohen në kalatë dhe prej tyre zbarkuan rreth 550 pasagjerë e më shumë se 90 automjete. Kapiteneria e portit të Durrësit bëri të ditur se tragetet "Riviera del Connero" dhe "Venezia" janë nisur respektivisht nga Ankona dhe Triestja, në drejtim të këtij porti. Disa sheshe dhe rrugë të Durrësit janë përmbytur, pasi niveli i ujit i ka kaluar të 20 cm. Këtë fat e ka pësuar sheshi përpara stacionit të trenit, një pjesë e rrugës "Skënderbej", rruga "Taulantia", një pjesë e zonës ku dikur ndodhej uzina e prodhimit të televizorëve si dhe pjesë të tëra të Shkozetit, Plazhit dhe ish-Këneta. Një situatë e tillë ka shkaktuar konfuzion në qarkullimin e automjeteve. Dihet që një pjesë e Durrësit është në nivelin e detit dhe një pjesë tjetër nën nivelin e tij, gjë që rrezikon sa herë që ka reshje të dendura përmbytjen e këtyre zonave. Parashikimi Meteorologët kanë parashikuar që sot moti të përkeqësohet dhe Durrësi të përfshihet nga një stuhi detare ose nga një fortunal, siç e quajnë detarët. Kjo dukuri natyrore pritet të ndodhë për shkak se era do të ndryshojë drejtimin e saj, nga jugu në veriperëndim. Raste të tilla ka pasur vitin e kaluar kur gjatë një stuhie të tillë, njëri prej trageteve u përplas me disa anije peshkimi e si pasojë fundosi 3 prej tyre dhe dëmtoi rëndë 2 të tjera.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›