E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen e BERZH-it, 50 milionë euro për rrugët dytësore

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje projektligjin për Ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale. Në fund të muajit mars të këtij viti, BERZH bëri konkretizimin e ndihmës prej 50 milionë eurosh, duke firmosur një marrëveshje nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe përfaqësuesi i BERZH-it. Dje kjo marrëveshje është miratuar dhe nga deputetet e Komisionit të Ekonomisë. Investimi në fjalë është pjesë e një programi më të gjerë kombëtar për rehabilitimin e 1.500 km rrjeti rrugor rajonal dhe lokal, i financuar paralelisht nga Banka Botërore, Fondi i OPEC, Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës dhe financues të tjerë të mundshëm. Fokusimi i kësaj huaje në zonat rurale ka të bëjë me faktin se më shumë se gjysma e popullsisë në Shqipëri është e përqendruar në këto zona. Gjendja e keqe e rrugëve rurale në vend po vështirëson zhvillimin e sektorit privat në qytetet e vogla dhe fshatra, duke limituar konkurrencën e kompanive bujqësore. Shuma e siguruar nga huaja e BERZH-it do të përdoret për të financuar rehabilitimin e 500 km të rrjetit rrugor në zonat rurale të Shqipërisë. Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do të sigurojë një hua në të njëjtën shumë për të bashkëfinancuar projektin. Gjithashtu, projekti do të mbështetet nga një grant prej 33 milionë euro nga Komisioni Evropian në kuadër të programit IPA2010/2011 dhe një grant shtesë prej 4 milionë eurosh për asistencë teknike nga Western Balkans Investment Framework (WBIF).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›