E Diel, 1 Nëntor 2026

Blloku 45; Drejt përfundimit rikonstruksioni i zonës



Kryebashkiaku Edi Rama ka inspektuar dje punimet për rikonstruksionin e infrastrukturës në bllokun nr. 45, zonë e kufizuar nga lumi i Lanës, hekurudha - rruga për në Kamëz, ish-kombinati “Josif Pashko”, punime të cilat tashmë po shkojnë drejt përfundimit.

Gjatë inspektimit të punimeve, Rama tha: “Së bashku me këtë komunitet të ardhurish mbërrijmë fundin e punimeve të një faze, e cila urbanizohet dhe i hap rrugë vijimit të punës në një pjesë tjetër po kaq të konsiderueshme, duke mbajtur kësisoj edhe premtimin solemn për të gjitha zonat e të ardhurve në Tiranë dhe rreth Tiranës”. Projekti i rikonstruksionit të bllokut 45 ka parashikuar ndërhyrjen në infrastrukturën e tij, e cila më parë ishte e amortizuar si dhe trajtimin e rrugëve ekzistuese sekondare, nga pikëpamja e ndërtimit të infrastrukturës dhe shtresave rrugore. Pas ndërhyrjes, gjerësia e rrugëve është 7 metra, me trotuar nga të dyja anët, të shtruara me asfalt dhe gjerësi 2 metra. Gjithashtu, janë hapur edhe rrugë të reja që shërbejnë për lidhjen e gjithë sistemit rrugor të zonës. Është ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit me gjatësi 7400 metra linearë, i cili në disa zona kishte dalë jashtë funksionit dhe që tashmë është ndërtuar në të dy anët e trotuareve të rrugës e po ashtu edhe në sistemin e kanalizimeve të ujërave të shiut, i cili më parë nuk ekzistonte. Projekti i kanalizimeve ka parashikuar ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimit të ujërave të bardha. Ndërkohë, projekti i rikonstruksionit të bllokut 45 ka përfshirë gjithashtu edhe ndërhyrjen në sistemin e ndriçimit rrugor, me shtylla metalike me lartësi 9.8 m të vendosura në të dy krahët e rrugës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›