Masa; Artan Kristo njihet me akuzën, çështja i delegohet Durrësit
I ndaluar me urdhër të Prokurorisë tri ditë më parë, dje Artan Kristo apo i njohur me emrin e tij si hoxhë Muhamet Abudalli ka dalë para togave të zeza të Tiranës për t’u saktësuar gjeneralitetet nga gjykata, pasi masa për të është marrë në mungesë. Nuk kanë ndryshuar kushtet e zbatimit të masës dhe Kristo është lënë me “arrest me burg”, por gjykata dje ka marrë, edhe një tjetër vendim për këtë shtetas të arrestuar. Duke qenë se ai është banor i Durrësit, gjykata e transferoi çështjen pranë kësaj gjykate për veprimet e tjera procedurale. Gjykata pohoi se njohja e masës ishte për të njëjtën akuzë që prokuroria i adreson atij, konkretisht thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste. Prokuroria pretendon se i akuzuari i saj ka publikuar në një faqe interneti thirrje të tilla për terrorizëm dhe këto materiale i ka si provat e saj kryesore në dosje. Por, pas transferimit të dosjes në Durrës, edhe gjykimi i Artan Kristos do të bëhet nga gjykata e rrethit gjyqësor të këtij rrethi.